Paralajmërimi i SHISH, mafia ruse e italiane mësyjnë ekonominë shqiptare
Trafikantë shqiptarë të drogës në Amerikën Latine, por edhe mafia më e egër italiane dhe ruse, po tentojnë të financojnë në Shqipëri në troje dhe ndërtim përmes praktikave korruptive. Ky konkluzion del nga raporti i Shërbimit Sekret në vendin tonë, i cili ka raportuar para pak ditësh para deputetëve të Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvendin e Republikës. Në këtë raportim të Shërbimit Informativ Shtetëror flitet për kapjen e tregut, monopolet shtetërore dhe monopolet e transferuara nga shteti te operatorë privatë përmes praktikave korruptive. SHISH ka dhënë alarmin se Shqipërinë por e mbërthen mafia italiane, ruse dhe ajo izraelite, duke mos përjashtuar edhe trafikantët shqiptarë të drogës në Kolumbi.
Një tjetër shqetësim edhe më i madh për sigurinë kombëtare, i vënë në dukje nga SHISH, ka të bëjë me organizatat mafioze kalabreze, që po ndërveprojnë me shtetas shqiptarë nga një qark ndër më të mëdhenjtë e më të pasurit në Shqipëri. “Grupe kriminale kazaleze (napolitane) po shprehin dëshirën të investojnë në Shqipëri në drejtim të ngritjes apo blerjes së kazinove, ashtu siç është bërë në Mal të Zi dhe Maqedoni. Organizata mafioze “Ndrageta”, nëpërmjet disa lidhjeve të saj, shtetas italianë të paraqitur në Shqipëri si investitorë të rëndësishëm, po synon investimin në fushën e ndërtimeve”, jep alarmin SHISH.
Më tej, ekspertët shprehen se informacione të shumta të mbërritura dëshmojnë se Shqipëria është tashmë në fokusin e investimeve të dyshimta ruse. “Konfirmohet interesimi për blerjen e tokave në bregdet dhe zona të ndryshme turistike. Gjithashtu disponohen të dhëna se edhe elementë të krimit të organizuar izraelit po synojnë tregun shqiptar të lojërave të fatit dhe investime në fushën e energjetikës”, raporton Shërbimi Informativ.
Nga analiza vlerësohet se gjatë periudhës së krizës financiare, por edhe më tej, qëllimi i grupeve të krimit të organizuar mund të jetë vendosja e kontrollit mbi aksionet e kompanive në krizë, ose pronësia mbi to. “Turizmi, biznesi i hotelerisë, pronat e patundshme dhe operacionet me to, ndërtimi dhe prodhimi i materialeve të ndërtimit, përpunimi dhe shfrytëzimi i teknologjive energjetike alternative, mund të jenë më të rrezikuarat”, ka vënë në dukje SHISH. Më tej vlerësohet se potencialet ekonomike shfrytëzohen në funksion të fuqizimit disaplanësh, me ambicie ndikimin në favor të politikave përkatëse. Më tej shpjegohet se rritja e aksesit politik dhe ekonomik konsiderohet si një ndër elementët prioritarë në realizimin e pretendimeve në momentin oportun, për dominim në dëm të interesave tona kombëtare.
#