Paralajmërohet hapja e qendrave të reja kulturore

Ministri i Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Ibrahim Makolli, në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga Albin Kurti, kryetar, ka raportuar për angazhimet dhe aktivitetet e kësaj ministrie gjatë periudhës janar - prill 2013. Duke bërë një bilanc të kësaj ministrie, Makolli e konsideroi Strategjinë e Diasporës dhe Mërgatës, si një nga objektivat kryesore të ministrisë, e cila, sipas tij, është në fazën përfundimtare të hartimit. Makolli tha se për hartimin e kësaj strategjie, paraprakisht janë zhvilluar një sërë konsultash me përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, të shoqërisë civile, institucioneve akademike e arsimore dhe ekspertëve. Në këtë funksion, sipas tij, janë organizuar edhe një sërë konsultimesh publike me diasporën në shtetet ku ka përqendrim më të madh të saj.
Objektivë të dytë të ministrisë që ai udhëheq, Makolli e konsideroi krijimin e regjistrit të diasporës dhe mërgatës, i cili, sipas tij, del si obligim ligjor. Ai tha se koncept-dokumenti është miratuar nga qeveria dhe në bazë të tij, Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me institucionet e tjera, do ta përgatitë planin për krijimin e regjistrit të mërgimtarëve.
Një vëmendje të veçantë, ministri i kushtoi edhe organizimit të procesit mësimor dhe përzgjedhjen e arsimtarëve në vendet ku vepron diaspora, si dhe hapjes së qendrave kulturore të Kosovës për diasporën dhe mërgatën. Ai e njoftoi komisionin për hapjen e qendrës së parë kulturore në Stamboll të Turqisë dhe bëri të ditur se qendra të tilla së shpejti do të hapen edhe në Zvicër, SHBA, Gjermani dhe Francë, njofton Zyra për medie.
Në vazhdim, kryetari i Komisionit, Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë, Hydajet Hyseni, Sabri Hamiti, Skënder Hyseni, Donika Kadaj-Bujupi dhe Emilja Rexhepi, ngritën një varg çështjesh dhe problemesh që i preokupojnë mërgimtarët, si dhe shtruan pyetje në adresë të ministrit Makolli. Ata kërkuan sqarime lidhur problemet me të cilat ballafaqohen mërgimtarët gjatë iniciativave të mundshme për investime në Kosovë, krijimin e politikave të nevojshme për nxitjen e investimeve të tilla, përmirësimin e pajisjes së mërgimtarëve me dokumentacion të nevojshëm, inkuadrimin e mërgimtarëve të kualifikuar në politikat zhvillimore në Kosovë, pagesat për sigurimin e automjeteve, hapjen e qendrave kulturore, mësimin plotësues, çështjen e sigurimeve sociale në Zvicër, përkujdesjen për mërgimtarë të komuniteteve pakicë, rrezikun e shumëfishimit të përgjegjësive dhe angazhimeve nga ana e institucioneve në raport me mërgatën etj.
Duke u përgjigjur në pyetjet dhe çështjet e ngritura nga ana e deputetëve, ministri Ibrahim Makolli vlerësoi se falë komunikimit të drejtpërdrejtë me mërgimtarët, ministria që ai udhëheq ka identifikuar të gjitha problemet dhe vështirësitë me të cilat ata përballen.