Ministri Hoxhaj uron popullin e Egjiptit në njëvjetorin e Pranverës Arabe

“Në Egjipt kemi parë dëshirën e fuqishme për të qenë të lirë, ku vullneti i popullit u dëshmua më i fuqishëm se dhuna e diktatorit. Egjiptianët frymëzuan të gjitha vendet në rajon për liri e demokraci. Gjithashtu, Kosova ju uron dhe mbështet vendin tuaj për të arriturat në rrugën e demokracisë”, thuhet në telegramin e urimit të Ministrit Hoxhaj.
Hoxhaj shpreh bindjen e plotë se Egjipti do të kalojë sfidat aktuale dhe shumë shpejt do të rikthehet, ashtu si ka qenë gjithmonë, si lider në Afrikë, botën arabe e islame.
“Populli i Kosovës i është falënderues popullit egjiptian për mbështetjen që keni treguar për ne. Jemi të bindur se marrëdhëniet e miqësisë dhe kooperimit të frytshëm midis dy popujve tanë vetëm se do të thellohen në të ardhmen”, thuhet në urimin e Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.