E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paralizohet administrata, Bashkia e Tiranës larg qytetarëve, në shërbim të partisë së kryetarit

Prej më shumë se një muaji Bashkia e Tiranës nuk po i shërben më qytetarëve të saj por po merret intensivisht me punët e politikës. Ashtu si prej shumë kohësh kryetari i tyre mban dy kunguj nën një sqetull të njëjtën gjë kanë nisur të bëjnë kohët e fundit edhe vartësit e tij, sigurisht me urdhër nga lart. Tani nuk kuptohet më nëse Bashkia e Tiranës është një institucion që shërben për zgjidhjen e halleve dhe problemeve të qytetarëve apo shërben si një seli e dytë e Partisë Socialiste. Në fakt këtë gjë nuk e kemi kuptuar që prej kohës që këto institucione kishin të njëjtin kryetar që drejtonte punën në dy kahe që puthen në një pikë për interesat personal. Kjo gjë u vu në dukje akoma më shumë gjatë kohës së fushatës zgjedhore duke vazhduar më tej edhe në kohën pas fushatës. punonjës të Bashkisë së Tiranës prej ditësh me radhë thuajse kanë paralizuar punën totalisht duke qenë në ndjekje të procesit zgjedhor, duke bërë fushatë të ndezur për partinë e kryetarit të tyre, duke dalë në konferenca të vazhdueshme me publikun dhe median sa herë që thuhej diçka kundra tyre nga kampi politik kundërshtar. Mjafton këtu të përmendim dhjetëra raste kur në ekranet e qytetarëve shfaqej nënkryetari i bashkisë, Eduart Shalsi duke bërë akuza politike kundrejt kundërshtarëve politik. Të gjitha këto akuza dhe kundërakuza kanë ardhur gjatë gjithë kohës nga zyrat e bashkisë të bëra nga administrata e saj sikur të ishte seli partie.
Kryeqytetasit pa bashki, prej shumë kohësh as edhe një vendimmarrje në të
Në Bashkinë e Tiranës që prej disa muajsh nuk është marrë as edhe një vendim apo te jetë miratuar ndonjë gjë. Gjëja e fundit që mbahet mend që atje është mbledhja e turpshme e Këshillit Bashkiak ku qytetarët akoma nuk  e dinë nëse është miratuar një buxhet për rregullimin e Tiranës apo jo. Ndërkohë që qytetarët vazhdojnë të derdhin taksa në atë institucion që ti marrin në shërbime për qytetin e tyre ku jetojnë bashkia i paguan ato punonjës si militantë partie. Qytetarë të shumta paraqiten për çdo ditë në dyer e zyrave të bashkisë duke dërguar kresa dhe ankesa, duke paraqitur halle dhe probleme por askush nuk ju jep atyre një përgjigje madje gjatë kohës së fushatës dhe këtyre ditëve shumë prej tyre nuk gjenden as në zyra.
Ku janë policët bashkiakë?!
Qytetarët e Tiranës ishin mësuar që të shihnin në çdo cep të qytetet fugonët e makinat e policisë bashkiake, policë që kryenin kontrollet e radhës në tregje, dyqane, lokale, trotuare, rrugë etj. Që në momentin që nisi fushata zgjedhore këto policë janë zhdukur dhe të vetmit policë bashkiakë që shihen në kryeqytet janë rojet e derës së bashkisë. Tani ato kanë hequr dorë nga fushatat e vjeljes së taksave dhe e vënies së gjobave, duke u bërë pjesë e fushatës zgjedhore. Madje ka zëra që pohojnë se ato kanë hequr uniformat e policisë bashkiake duke veshur atë të militantëve të partisë gjë të cilën e kanë bërë të gjithë punonjësit e bashkisë. Mjafton këtu të kujtojmë rastin e sherrit që u krijua para kryeministrisë ku partia socialiste donte të zhvillonte mitingun e mbylljes së fushatës. Në atë vend ku militantët e partisë dhe vetë politikanët u përleshën me forcat e rendit shiheshin punonjës të shumtë të bashkisë si dhe policët bashkiak. Me sa duket për këtë administratë bashkia është si një trampolinë që për ti kaluar në politikë si dhe një qendër kursi se si të bëjnë politikë. Por ajo që i shqetëson të gjithë është puna që ato po bëjnë për qytetarët që prej kaq shumë kohësh e kanë harruar që janë aty të zgjedhur nga populli për ti zgjidhur hallet dhe problemet si dhe kanë harruar që atë vend pune e kanë të paguar nga taksat e këtyre qytetarëve që deri më tani nuk kanë bërë asgjë tjetër veçse kanë trokitur zyrë më zyrë dhe kanë pritur në radhë të gjata para bashkisë për shumë kohë pa marrë as edhe një përgjigje e jo më të kenë zgjidhur një hall apo problem.
Last Updated on Friday, 03 July 2009 00:20

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›