Durrës, nisin procedurat e legalizimit në Plazh
Specialistët e ALUIZNI-t në Durrës do të kalojnë së shpejti në terren për tu përqendruar në ndërtimet në zonën e Plazhit. Durrësi ka 6 zona informale dhe njëra prej tyre është Plazhi me një numër shumë të madh objektesh të ndërtuara pa leje. Fillimisht specialistët kanë përshkuar zonën informale në Kënetë dhe një pjesë të parcelave në Shkozet.
Por specialistët kanë theksuar se edhe Plazhi ka përfunduar fazën e plotësimit të plotë të dosjeve të vëzhgimit në terren dhe tani pritet rakordimi përfundimtar. Pjesa më e madhe e objekteve janë ndërtuar në anën e majtë të rrugës Ura Dajlanit-Plepa. Kjo pjesë ka kryesisht objekte banimi dhe fare pak objekte që janë lokale shërbimi të cilat presin legalizim pas plotësimit të formularëve të vetëdeklarimit. Në hartat e ALUIZNI-t rezultojnë të regjistruara më shumë se 2300 objekte, pjesa më e madhe shtëpi banimi. Fakti se Plazhi është zonë turistike bregdetare ka kërkuar më shumë vëmendje e kujdes si nga ana e ALUIZNI-t edhe nga Drejtoria e Përgjithshme. Drejtori Andi Lila ka thënë se Është synuar të harmonizohet drejt zhvillimi urban dhe shtrirjen perspektive të një infrastrukture turistike në këtë pjesë të bregdetit të Durrësit. Lagjja numër 13 njihet ndryshe edhe si plazhi i madh i qytetit dhe kjo ka bërë që të tregohet një vëmendje e kujdes më i përqendruar për ë ardhmen e zonës urbane. Deri në fillim të viteve 90 kjo pjesë e Durrësit shfrytëzohej vetëm në sezonin e verës për akomodim të pushuesve, ndërsa tani janë më shumë se 2500 objekte të klasifikuara shtëpi banimi dhe një numër i konsideruar objektesh të tjera për shërbim qytetar dhe akomodim të pushuesve në verë. Plazhi si zonë informale ka një sipërfaqe në 205 ha dhe kjo pjesë tashmë ka nisur të kalojë pjesë-pjesë për të filluar më pas me formalizimin. Me fillimin e muajit korrik pritet të dalin edhe rezultatet e para për të kaluar më pas në procedurat e pagesave për të shkuar drejt hipotekës. Grupet e specialistëve janë në terren për të rakorduar dokumentacionin e vetëdeklarimit me matjet e drejtpërdrejta. Në ndryshim nga zona në të majtë të rrugës Ura Dajlanit-Plepa, pjesa në të djathtë të saj ka më pak punë. Janë kryesisht hotele, lokale shërbimi, pallate të larta dhe kompani private ato që zënë volumin më të madh të ndërtimeve. Të gjitha gjurmët e këtyre objekteve janë vendosur në hartat e ALUIZNI-t dhe presin shqyrtimin një nga një. Durrësi ka 6 zona informale. Ato janë: zona e ish Kënetës me 700 ha dhe 9329 ndërtime; zona e Shkozetit me sipërfaqe 377 ha dhe 3 880 ndërtime; zona nga stacioni i trenit deri në Plepa me sipërfaqe 198 ha dhe 943 ndërtime; zona nga Porto Romano deri në Kodër Vilë me sipërfaqe 266 ha dhe 2 300 ndërtime; zona e qytetit të Durrësit me sipërfaqe 244 ha dhe 2 300 ndërtime dhe zona e Plazhit me sipërfaqe 205 ha. Drejtues të agjencisë së legalizimit në Durrës kanë bënë të ditur se në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave për ligjin e legalizimit të ndërtimeve pa leje, u identifikuan 127 ndërtime në total që nuk mund të legalizohen. Këto ndërtime janë bërë në zonën e kombinatit kimik në Porto Romano, ndërtimet poshtë linjës së tensioni të lartë 35 dhe 120 kilovolt, 23 ndërtime që gjenden në parcelën me sipërfaqe 50 hektarë që është punuar nga Co Plan në hyrje të Kënetës dhe në pjesën perëndimore të skolinës së parë në Kënetë, pranë kishës katolike.