30 % e femrave dhe 7-15 % e meshkujve ankohen nga dhimbjet që shkaktohen nga vuajtja nervore
Shpesh herë, njerëzit normalë ankohen për dhimbjen e trupit, pagjumësi, lodhje më tepër në mëngjes se në darkë, mosperformancë në punë, për këputje, mosdëshirë, etj, gjë që dhe nëse do të shkojmë tek doktori kjo do të quhej dobësi nervore, por që në fakt është fibromialgji. "Në vendin tonë, rreth 30 % e femrave dhe 7-15 % e meshkujve ankohen nga kjo lloj dhimbje", tha të premten kryetari i Shoqatës shqiptare të Dhimbjes, Apostol Vaso. Sipas tij, dhimbja eropatike shkaktohet nga vuajtja nervore.
"Në institucionet tona shëndetësore, mjekët, që nuk e kanë bërë në shkollë këtë si lëndë, përshkruajnë preparatet klasike si analgine, morfinë etj për trajtimin e kësaj, ndërsa i sëmuri, edhe pse i merr këto ilaçe, përsëri ndjen dhimbje", tha z. Vaso. Prandaj, sipas tij, duhet të vendoset një diagnozë e përshtatshme mbi dhimbjen eropatike dhe në fakt ajo ka zgjidhje. Kostoja e dhimbjes ka dimension të jashtëzakonshëm social. "Nëse flasim për vuajtje, dhimbja kronike është një vuajtje, emocion që shkaktohet nga një dëmtim apo faktor, që nuk hiqet nga trupi apo mendja, dhe që përgatit mendjen apo organizimin për të pasur vuajtje", theksoi z. Vaso. Por, sipas tij, nuk është problemi që shëndetësia nuk është fokusuar tek problemi i dhimbjes, por shoqëria jonë nuk është e fokusuar përshtatshëm në këtë problem. Ndërkohë, ka dy lloj dhimbjesh; akute, që është dhimbja që vjen si rezultat i një dëmtimi indor ose i kirurgjisë, si dhe ajo kronike, që vazhdon dhe pas shërimit dhe që ka një karakteristikë që është aspekti kohor. "Në rast se një dhimbje zgjat dy-tre muaj ajo tenton të kalojë në dhimbje kronike dhe nuk është më një simptomë, por një sëmundje", sqaron z. Vaso. Në 2001, Federata Evropiane e Dhimbjes e ka deklaruar këtë si një problem madhor në shërbimin shëndetësor të të gjithë Evropës dhe që prej atëherë janë bërë hapa të mëdha në futjen e trajtimit të dhimbjes në sistemin shëndetësor si specialitet më vete. Aktualisht, institucionet ndërkombëtare përllogaritin dhimbjen si problemin më të madh si në aspektin e uljes së performancës, por dhe të invaliditetit. "Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës llogaritet që nga mosnjohja e drejtë nga ana e mjekëve e dhimbjes kronike, të harxhohen rreth 215-250 milion dollarë në vit", nënvizoi z. Vaso. Por, sipas tij, dhimbja është e lidhur dhe me kulturën e një populli; sa më kulturë të ketë një popull, aq më pak dhimbje ka dhe sa më pak kulturë, aq më shumë dhimbje ka.Viti 2009 është viti i dhimbjes së kancerit, ndërsa në të gjithë botën po ndërmerret një fushatë për këtë dhimbje, si dhe për dhimbjen e fibromialgjisë.