Parashikimet afatmesme të ekonomisë shqiptare
Publikohet në Fletoren Zyrtare projektbuxheti për vitin 2013-2015
Pavarësisht rënies ekonomike me 0,2 për qind në tremujorin e parë të këtij viti, e ndikuar kjo edhe nga situata e rënduar ekonomike dhe financiare e vendeve të rajonit dhe Europës, perspektivat e ekonomisë shqiptare duken mjaft pozitive. Në projektbuxhetin afatmesëm 2013-2015, publikuar së fundmi në Fletoren Zyrtare, rritja ekonomike për vitin 2012 parashikohet në 4.3 për qind. Pas këtij viti financat vlerësojnë se rritja mesatare ekonomike për periudhën 2013-2015 do të shkojë në rreth 5 për qind në vit. Borxhi publik parashikohet që gjatë këtij dy vjeçari të ulet në 58 për qind të PBB.
Për sa u përket treguesve kryesorë makroekonomikë sipas Ministrisë së Financave parashikohet që konsumi final të rritet në terma reale me një normë vjetore mesatare prej 2.9 për qind gjatë kësaj periudhe. Konsumi në 2013 është parashikuar që të vazhdojë të rritet me ritme më të larta, 2.9 për qind, nga 2.1 për qind që ishte në vitin 2012 dhe 1.9 për qind që ishte në vitin 2011.
Të ndarë sipas sektorëve kryesor pritet që prodhimi bujqësor, duke supozuar kushte normale klimatike, parashikohet të rritet me normën historike të tij mesatarisht me rreth 3.5 për qind në vit për periudhën e ardhshme 2013-2014. Prodhimi industrial, duke përfshirë industrinë nxjerrëse dhe prodhuese, është parashikuar të rritet mesatarisht me 5.8 për qind në vit për periudhën afatmesme në vazhdim.
Ndërtimi për periudhën në vazhdim afatmesme (është parashikuar të ketë një rritje mesatare prej 3 për qind në vit. Shërbimet janë parashikuar të rriten mesatarisht me 5.6 për qind në vit. Kontributin kryesor pritet ta japin transporti, tregtia hotel dhe restorant, si dhe postë-telekomunikacioni.
Inflacioni, parashikohet të luhatet brenda kufijve 2-4 për qind të vendosur nga Banka e Shqipërisë. Deficiti tregtar i shprehur në terma të PBB-së është parashikuar që të reduktohet gradualisht duke arritur në 12.7 për qind për vitin 2015.