Kryeministri Sali Berisha kritikon regjimin e Ahmedinexhad: Ideologjia e tij si e Hitlerit, kërcënim real për paqen në botë

Kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas deklaratës së Presidentit të Iranit, Mahmud Ahmadinexhad. Përmes një deklarate për mediat, Berisha shprehet se me deklaratën e tij të fundit se nuk do ketë vend në Lindjen e Mesme për Izraelin, Presidenti i Iranit, Ahmedinaxhad, dëshmon në mënyrë të përsëritur se ai ndan me Hitlerin dhe Lejtnantët e tij qëndrime dhe ideologji identike për hebrenjtë dhe kombin e tyre.
Në këtë kontekst Kryeministri shton se me këto qëndrime, Ahmedinexhad dëshmon se ai dhe ideologjia e tij janë një kërcënim real madhor dhe në rritje për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën.
“Deklaratat naziste e paranojake të Ahmedinexhad janë një thirrje e vërtetë për ndalimin me çdo kusht dhe mjet të programit nuklear të Iranit si një ndër rreziqet më madhore të paqes botërore sot”- thekson Berisha.
Të premten në Iran Mahmoud Ahmadinexhad lancoi parullën “Vdekje Amerikës, vdekje Izraelit! dhe më pas mijëra qytetarë të mbledhur aty kanë përsëritur fjalët e Presidentit, i cili ka thënë se në të ardhmen e Lindjes së Mesme nuk ka hapësirë për shtetin hebre.
“Tumori izraelit do të eliminohet së shpejti”, ka thënë presidenti në Universitetin e Teheranit, me rastin e së premtes së fundit të muajit të Ramazanit, kur në Iran festohet edhe Dita Botërore e Jeruzalemit, në solidaritet me palestinezët kundër Izraelit.
“Regjimi sionist është një kancer. Shumë shpejt vendet e rajonit do t`i japin fund pranisë së pushtuesve sionistë në tokën e Palestinës. Perëndimorët thonë se duan një Lindje të Mesme të re, por në rajonin tonë nuk do të ketë më gjurmë të sionistëve”, ka shtuar presidenti, i cili e ka mbyllur fjalimin me klithmën: “Vdekje Izraelit dhe vdekje Amerikës”.