E Shtunë, 31 Tetor 2026

Terrorizmi e pastrimi i parave, zbulohen 70 raste gjatë 2009-s



Gjatë vitit 2009 janë zbuluar 70 raste të dyshuara për pastrim parash dhe financim terrorizmi. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave dorëzoi dje në Kuvend raportin e të dhënave për 10 muajt e parë të vitit 2009. Drejtori i këtij institucioni në Ministrinë e Financave, Arben Doçi, raportoi para Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvend për të dhënat e këtij raporti. Në raport thuhet se në bashkëpunim me SHISH-in janë evidentuar rreth 70 raste të dyshuara për pastrim parash. “Gjatë këtij 10-mujori i kemi dërguar SHISH-it 70 raste të dyshuara për pastrim parash dhe financim terrorizmi dhe kemi marrë informacion për 13 raste për të cilat SHISH ka pasur të dhëna për pastrim parash. Ky shkëmbim informacioni ka rritje të pakrahasueshme me periudhat paraardhëse”, - thuhet në raport.

Aktivitetet e dyshimta

Duke nisur që nga viti 2001, kur u mor dhe raporti i parë i aktivitetit të dyshimtë, deri në vitin 2009 janë raportuar 1,231 transaksione të dyshimta. Raporti evidenton rast pas rasti të dhënat e dyshuara të cilat më pas kanë kaluar në institucionet e tjera për t’u ndjekur.

Raporti thotë me tej se ka një rritje graduale vit pas viti të raportimeve për aktivitete të dyshimta që arrin kulmin në vitin 2007, në një total prej 748 raportimesh. “Në këtë numër përfshihen informacione të paraportuara më parë nga bankat që u konsideruan si anormale ose të dyshimta vetëm pas inspektimeve të kryera. Pas analizimit të tyre u konkludua që përmbanin kryesisht elementë të evazionit fiskal”, - thuhet të raport. Më tej thuhet se “ndonëse edhe në raport-progresin e vitit 2009 të BE-së evidentohet rritja në sasi dhe cilësi e inspektimeve të kryera nga DPPPP-ja, përsëri mbetet shumë punë për t’u bërë, me qëllim që subjektet raportuese financiare, por edhe të tjera të raportojnë transaksione të aktiviteteve të dyshimta për pastrim të parave dhe financim të terrorizmit. Për këtë situatë kemi kërkuar nga autoritetet mbikëqyrëse dhe licencuese që drejtuesit e institucioneve të ushtrojnë presion dhe kontrolle të vazhdueshme ndaj subjekteve për të përmbushur këtë detyrim ligjor, si dhe kemi informuar anëtarët e KBLKPP-së”.

Masat

Drejtoria ka ndërmarrë, në kuadër edhe të ligjit të ri për parandalimin e pastrimit të parave, disa masa ndaj të dyshuarve për pastrim parash. “Shuma totale e gjobave të dhëna për vitin 2008 është 23,690,000 lekë ose gati 6 herë më shumë se një vit më parë. Për periudhën janar 2009 – tetor 2009 kjo shumë është 42,050,000 lekë”, - thuhet më tej në raport. Në vitin 2008 nga 22 ankimime të bëra për masat administrative të marra nga DPPPP-ja, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, 15 prej tyre janë fituar nga DPPPP-ja, 2 janë fituar nga subjektet e ndëshkuara dhe të tjerat janë në proces. Po kështu, janë fituar nga DPPPP- ja, në Gjykatën e Apelit, 5 apelime. Për 10-mujorin e parë të vitit 2009 janë dhënë nga DPPPP-ja 29 masa administrative dhe janë ankimuar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë 8 prej tyre. Kjo shkallë e lartë e proceseve gjyqësore të fituara në shkallën e parë dhe në apel është një tregues domethënës i zbatimit rigoroz të ligjit nga ana e DPPPP-së, e konfirmuar kjo edhe me vendimet e organeve gjyqësore. Krahas dhënies së masave administrative, për herë të parë në vitin 2008, DPPPP-ja ka propozuar heqjen e licencave për tri subjekte, pranë organeve mbikëqyrëse dhe licencuese, duke ushtruar kështu një të drejtë ligjore për forcimin e sistemit të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në Shqipëri.

Gjobat e vendosura dhe të mbledhura

Para të dyshuara si të pista depozitohen në banka

Raporti i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave evidenton se ka raste të zbuluara në shumë sektorë që më pas këto para shkojnë e depozitohen në banka. “Kemi deduktuar raste të dyshimta ku paratë, të cilat nuk kanë burime të ligjshme, janë investuar në degë të ndryshme të ekonomisë, si ndërtim, hoteleri, shitblerjen e pronave të paluajtshme, janë investuar në arsim e sektorin medicinal, janë depozituar në banka. Dyshimet e lindura janë konsoliduar edhe më tej nga verifikimi i kredive të shpeshta dhe në vlera të konsiderueshme nga sipërmarrje menjëherë të suksesshme, të cilat natyrisht që besojmë dhe kemi referuar se suksesi dhe fuqia qëndron në fondet që burojnë nga veprimtari të jashtëligjshme”, - thuhet në raport. Informacionet e përditësuara për këto dyshime u janë dërguar Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme, SHISH-it, Drejtorisë se Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorisë se Përgjithshme të Doganave, si dhe homologëve tanë ndërkombëtarë, bazuar në marrëveshjet e bashkëpunimit që kemi me ta. Raporti i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave evidenton se ka pasur bashkëpunime me institucionet jashtë vendit për të ndjekur rastet e dyshuara për pastrim parash apo që tentojnë të financojnë terrorizmin. “Është shkëmbyer në mënyrë të vazhdueshme informacion me Malin e Zi, Maqedoninë, Greqinë, Italinë, Serbinë, Slloveninë, Kroacinë dhe Bosnje-Hercegovinën”, - thuhet në raport.

Transaksionet financiare, institucionet shkëmbejnë informacion

Raporti evidenton se ka filluar një bashkëpunim mes institucioneve të shtetit për shkëmbimin e informacionit. Në mënyrë online janë shkëmbyer informata në Drejtorinë e Policisë, SHISH, Inspektoratin e Deklarimit të Pasurive etj. Në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit është përfituar një mbështetje teknologjike e lartë si dhe janë trajnuar stafe për të ndjekur më në gjerësi rastet e evidentuara. AKSHI, gjithashtu ka përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave në rrjetin GOVNET, duke planifikuar që brenda vitit 2009 institucioni të jetë pjesë e këtij rrjeti kombëtar nëpërmjet fibrës optike. Po kështu, në muajin shtator 2009 është vendosur dhe Disaster Recovery pranë kësaj agjencie.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›