E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paratë e përfituara do të shkojnë për shlyerje të kredive

08/04/2010 Qeveria hedh në tregun ndërkombëtar të bonove 400 milionë euro

Shqipëria do të dalë për herë të parë në tregun ndërkombëtar financiar me bono thesari. Qeveria ka miratuar në mbledhjen e fundit të saj vendimin për eurobondet, i cili mundëson këtë hap në prezantimin e bursave ndërkombëtare. Trupa ministrore miratoi në parim marrëveshjet dhe dokumentet e transaksioneve ndërmjet Këshillit të Ministrave, përfaqësuar nga ministri i Financave, dhe “Deutsche Bank” dhe “Londër e J. P. Morgan Securities lid”, për emetimin e eurobondit deri në 400 milionë euro. Dy grupimet financiare marrin përsipër hedhjen në treg të borxhit të Shqipërisë. Me fitimet që Qeveria shqiptare do të marrë nga hedhja të tregun ndërkombëtar financiar të kësaj shume, do të shlyhet një pjesë e kredisë së marrë për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Vetë Kryeministri Sali Berisha, duke prezantuar këtë vendim, ka theksuar se tregu i bonove të thesarit do të jetë një treg i favorshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, pasi ato kanë pasur mbështetjen e një ekonomie me tregues të lartë të zhvillimit. “Ekonomia është në gjendje entuziaste, entuziazëm të cilin nuk ia cenoi as cunami financiar, as kutia. Ky është realiteti. Kështu që në këto kushte ne jemi optimistë se tregu i bonove të thesarit, i eurobondeve, do të jetë një treg i favorshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët”, deklaroi ai. Për kreun e Qeverisë, dy institucionet, ndër më kryesoret në botë, “Deutche bank” dhe “AG Morgan”, kanë marrë përsipër trajtimin e eurobondeve të Shqipërisë. Këto dy grupime do të dalin në treg duke pasur për bazë trendin e ekonomisë shqiptare.

Ekonomia shqiptare

Për Kryeministrin, dalja në tregun ndërkombëtar të bonove është dëshmi e një zhvillimi të rëndësishëm ekonomik dhe financiar të vendit. “Eksportet shqiptare, “Made in Albania”, në tremujorin e parë të këtij viti kanë pasur rritjen më të madhe në historinë e këtij vendi, por kanë pasur gjithashtu një rritje të paparashikuar krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2009”, ka deklaruar Berisha.

Për skeptikët

Shefi i ekzekutivit ka hedhur poshtë pretendimet se vendi është përfshirë nga kriza ekonomike. “Ata që flasin çdo ditë për krizë i ftoj të lexojnë të dhënat për eksportet shqiptare, të cilat gjenden jo vetëm nëpër agjencitë e vendit, por edhe në një seri agjencish ndërkombëtare. Ata që flasin për krizë i ftoj të lexojnë të dhënat e të ardhurave dhe t’i marrin nëpërmjet transaksioneve bankare”, tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›