E Diel, 1 Nëntor 2026

Provimet, numër i lartë të regjistruarish

08/04/2010 Pranimet në universitete

Shtohen kërkesat për ndjekjen e studimeve të larta publike. Burime pranë Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, bëjnë të ditur se krahasuar me maturën e vitit të shkuar, gjatë 2010-ës janë regjistruar më shumë kandidatë për dhënin e provimeve me zgjedhje. Ndonëse nuk është publikuar ende shifra zyrtare, pohohet se rreth 40 mijë kandidatë janë regjistruar në dy formularët për të dhënë provimet vendimtare të pranimeve në universitete. Por vetëm gjysma e tyre do të kenë mundësi të ndjekin shkollën e lartë, pasi, siç është deklaruar deri më tani, kuotat e pranimit nuk do të pësojnë rritje të ndjeshme krahasuar me ato të miratuara vitin e shkuar. Megjithatë, në rregullore përcaktohet se rezultatet e secilit provim nuk kushtëzojnë hyrjen në provimet e tjera. Kjo do të thotë se kandidatët që marrin vlerësim negativ në dy provimet e detyruara, do të mund të japin edhe provimet me zgjedhje. Por rezultatet e arritura në këto të fundit nuk do t’i lejojnë ata të konkurrojnë edhe për universitetet. Këto rezultate mund të përdoren për konkurrimin e një viti më vonë, pasi të jenë marrë edhe provimet në të cilat janë klasifikuar mbetës. Ndërsa kandidatët që duan të vazhdojnë studimet vetëm në programet e studimit në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve, në programin e studimit të Edukimit Fizik në universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër, si dhe në programin e studimit të Edukimit Fizik në universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, mund të konkurrojnë në këto IALP pa qenë të detyruar të japin provimet me zgjedhje, por këta kandidatë duhet të plotësojnë formularët përkatës sipas rastit. Gjithashtu, kandidatët që në vitet shkollore 2005-2009 kanë dhënë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe nuk janë shpallur fitues ose nuk janë regjistruar në asnjë nga programet e studimeve të larta publike (e vërtetuar kjo nga dekanatet përkatëse), për këtë vit nuk janë të detyruar të rijapin provimet me zgjedhje, përveç rasteve kur e kërkojnë këtë vetë. Në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë-preferencë për këtë lëndë merret koeficienti që ka këtë vit.

Përfshirja

Rregullorja e Maturës 2010 përcakton se provimet e detyruara të Maturës i jep çdo nxënës që ka përfunduar vitin e fundit të shkollës së mesme dhe ka plotësuar formularin përkatës. Ndërkohë që çdo maturant mbetës në provimet e detyruara (D1 dhe D2) ka të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë (të vjeshtës), por nuk ka të drejtë të konkurrojë për programet e këtij viti.

Lëndët me zgjedhje

Testet e provimeve me zgjedhje do të përmbajnë për secilën lëndë 20 kërkesa, nga të cilat 10 kërkesa janë me përgjigje alternative, që do të vlerësohen me 10 pikë, dhe dhjetë pyetje të tjera me zhvillim. Pyetjet me zhvillim do të vlerësohen me 30 pikë në total. Provimet me zgjedhje do të zhvillohen në një ditë, përkatësisht më 30 qershor, dhe do të zgjasin 4 orë për të dyja lëndët pa ndërprerje.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›