E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paratë e shitjes së HEC-eve, për borxhet ndaj biznesit, Bode: Rritëm përkohësisht borxhin

TIRANË- Qeveria do të përdorë të ardhurat nga privatizimi i katër Hidrocentraleve, dy Bistricave, Ulzës dhe Shkopetit për të ulur nivelin e borxhit të brendshëm, të rritur ndjeshëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti.

Ministri i Financave, Ridvan Bode ka shpjeguar skemën për përdorimin e këtyre të ardhurave. Sipas tij, u mor një borxh i përkohshëm për të shlyer detyrimet e prapambetura te biznesit, i cili do të zëvendësohet me të ardhurat e privatizimit te HEC-eve.

“ Në pritje të të ardhurave nga privatizimi, qeveria ka menaxhuar thesarin e shteti, duke bërë huamarrje të përkohshme 2-3 mujore në pritje të të ardhurave nga privatizimi. Në momentin që ndodhemi sot, tre ditë më parë është bërë pagesa e parë për rreth 57 milionë euro, të cilat shkojnë tërësisht në ulje të huamarrjes së brendshme. Qeveria bëri këtë në mënyrë të përkohshme, pikërisht në emër të instrumentave ekonomikë, financiarë mbështetës, për ekonominë, për qytetarët, tashmë ne nuk kemi të drejtë të përdorim më shumë se jemi autorizuar, për huamarrje, borxh, deficit”, theksoi Bode.

Sipas kryefinancierit Bode, deri me tani janë shlyer rreth 105 milionë euro borxhe ndaj biznesit.

‘Përtej shifrave të parashikuara në buxhetin e vitit 2013 dhe kontratave që janë mbështetur me këtë buxhet pati mundësinë që të lërojë në funksion të shlyerjes, së kontratave rreth 105 milionë euro më shumë”, tha Bode.

Ministri i Financave ka reaguar edhe ndaj akuzave të opozitës për deficitin buxhetor, duke deklaruar se ato janë të pabazuara ne shifra dhe ne realitetin shqiptar.
(e.m/News/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›