Paratë n’bërllok
Në bilborde, mure, dyqane, drunj, hyrje banesash, por edhe në tokë, mund të shikosh posterët e partive politike dhe të kandidatëve që konkurrojnë për zgjedhjet e sotme.
Zyrtarët e subjekteve politike janë kujdesur mjaft mirë që fotografitë më liderët e tyre dhe kandidatët për deputetë të vendosen gjatë këtyre dhjetë ditëve të fushatës në vendet më të frekuentuara të Prishtinës.
Nuk kanë lënë vend pa shfrytëzuar në mënyrë që posterat e tyre të duken kudo, me qëllim që ata të bien sa më shumë në sy te votuesit e kryeqytetit.
Por, mbi 200 mijë eurot sa kanë harxhuar partitë politike për postera dhe reklama ditore , të hënën do të hidhen në bërllok.
Të gjithë posterët, flajerët, vizitkartat që kanë shpërndarë kandidatët dhe partitë politike, e që shumica prej tyre janë rrugëve të Prishtinës, komuna do të fillojë t`i heqë të hënën.
Sheshi “Nënë Terezë” ka qenë vendi ku zyrtarët e partive politike kanë vendosur natë e ditë posterë dhe reklama të ndryshme për zgjedhjet e 12 dhjetorit.
Madje nuk janë kursyer as hapësirat e pakta gjelbëruese apo edhe drunjtë, për të vendosur posterë, edhe pse vendosja e fotografive të tyre në këto hapësira nuk u ka ecur mirë, meqë ato janë hequr nga Partia Ekologjike e Kosovës, e cila nuk merr fare pjesë në zgjedhje.
Pamjet me kaosin ambiental që është krijuar gjatë këtyre ditëve të fushatës pritet të ndryshojë që nga data 13 dhjetor, ku disa kompani të kontraktuara nga Komuna e Prishtinës pritet të fillojnë pastrimin e ambientit nga posterat , vizitkartat e gjëra të tjera që kanë krijuar partitë për fushatë.
Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, ka thënë për Express se komuna ka menduar edhe për këtë.
Sipas tij, janë katër kompani që nga dita e hënë të cilat do të merren gjatë gjithë ditës me pastrimin e kryeqytetit.
“Qysh të hënën në mëngjes kompania e kontraktuar nga Komuna e Prishtinës, ‘Pastrimi’ dhe tri kompani të tjera do të pastrojnë rrugët, sheshet dhe muret e kryeqytetit nga posterat e vendosur gjatë kësaj fushate”, ka thënë ai.
Ky zyrtar ka thënë se telashe këto kompani mund të kenë në hapësirat e larta, ku partitë kanë vendosur fotografitë e tyre.
“Problem mund të kemi në mure të larta ose ndërtesa , por nuk shohim ndonjë telashe në vendet ku posterat janë ngjitur në hapësira të ulëta”, ka rrëfyer Muhamet Gashi.
Sipas tij, duhen dy deri në tri ditë që të gjitha rrugët dhe vendet ku janë vendosur posterët të largohen dhe të hedhen në bërllok.
“Shpresojmë që brenda 2-3 ditëve të mos kemi asnjë letër ose bërllok të krijuar nga partitë politike gjatë fushatës dhjet ditore”, ka thënë ai.
Gjatë fushatës zgjedhore, subjektet politike kanë shpenzuar 208 mijë e 529 euro për promovim në shtypin ditor, ndërsa në portalet apo agjencitë në internet 18 mijë e 800 euro. Këto janë të dhënat e dala nga hulumtimi i koalicionit të OJQ’ve “Demokracia në Veprim”.
Driton Selmanaj nga DV tha se Partia Demokratike e Kosovës prinë për nga shpenzimet promovuese në shtypin ditor me 103 062 euro, e pasuar nga AKR me 60 765, LDK me 25 870, AAK me 8 396, FER me 5 443, LDD me 2 824, KDTP me 1 136, dhe Vetëvendosje me 1 033 euro.
Po ashtu, PDK është e para edhe për shpenzime promovuese në portalet dhe agjencitë informative në internet me 4 500 euro, pasuar nga LDK me 4 300, AAK me 2 900, AKR me 2 600, FER me 2 300 dhe Lëvizja Vetëvendosje me 2 200 euro.