Foli Banka Botërore
Pas kritikave për ambient të pafavorshëm për investime dhe mungesës së mbrojtjes së investitorëve, Banka Botërore foli edhe një herë për Kosovën. Kësaj here është jostabiliteti politik, një nga pengesat, të cilat bëjnë që investitorët e huaj hezitojnë të investojnë në Kosovë.
Si pasojë, në raportin më të fundit të kësaj organizate, Kosova radhitet e 11-ta, prej 15 destinacioneve të mundshme në mesin e vendeve ku jostabiliteti politik ndikon në investimet e huaja potenciale.
Nga vendet e rajonit, Bosnja e Hercegovina radhitet e katërta, ndërsa pas Kosovës renditet Uzbekistani, Angola dhe Kameruni.
Njohës të çështjeve ekonomike, fajin e hedhin tek institucionet, të cilat, sipas tyre, ende nuk kanë arritur të krijojnë një ambient të përshtatshëm për investitorët e huaj. Sipas tyre, ende ekzistojnë procedura burokratike karshi investitorëve ndërkombëtarë.
Lekë Musa, kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, thotë se investitorëve potencialë, në radhë të parë, u intereson stabiliteti politik, gjë që deri tani i ka munguar Kosovës.
“Jostabiliteti politik është faktori kyç, sepse në formulën e investitorëve të huaj, ata dëshirojnë të kenë një qartësi karshi tyre“, shprehet Musa.
Pothuajse në të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare që kanë të bëjnë me fushën ekonomike, e ku përfshihen edhe investimet e huaja, Kosova nuk tregon rezultate pozitive.
Për këtë, Musa thotë se institucioneve të vendit u mbeten shumë punë për të bërë.
“Të eliminohen favorizimet e ndryshme, të cilat vijnë për shkaqe politike apo për shkak të ndërlidhjes së politikës me biznesin. Duhet të përmirësohet edhe efikasiteti në gjyqësi”, thekson Musa.
Edhe Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, thotë se me gjithë interesimin e kompanive të huaja për të investuar në Kosovë, investitorët hezitojnë për shkak të infrastrukturës jo të duhur ligjore dhe procedurave burokratike. Këto çështje, sipas tij, do të mund të përmirësoheshin nga institucionet shtetërore.
“Pasojë mund të jetë edhe politika tregtare jo e favorshme, pastaj infrastruktura fizike. Të gjitha këto mund të shkojnë në drejtim që të bien investimet. Prandaj, Kosova duhet ta përmirësojë veten, kushtet e jetës së qytetarëve të saj”, thotë Shahini.
Megjithëkëtë, Shahini shpreson se pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit, qeveria e ardhshme do ta përmirësojë ambientin për investimet ndërkombëtare.
“Kosova, pas zgjedhjeve, me siguri se do të ndryshojë dhe do të përmirësojë renditjen se ku gjendet aktualisht”, thekson Shahini.
Gjithashtu, edhe në një raport tjetër të Bankës Botërore, të quajtur “Të bërit biznes”, për vitin 2011, Kosova ishte radhitur në vendin e 173-ta sa i përket mbrojtjes së investitorëve, në mesin e 183 shteteve ku është bërë matja.