ANP, OK me auditor
Kompania ndërkombëtare e specializuar për auditim dhe konsuelencë biznesi, Grant Thornton, ka nxjerr mirë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës në pasqyrat financiare për vitin 2009.
Ky auditor ka dhënë opinion pozitiv dhe, sipas deklarimeve zyrtare, ky është raporti i parë pozitiv për këtë ndërmarrje gjatë 10 viteve të fundit.
Të gjitha auditimet e mëhershme nuk kanë qenë aspak të pëlqyeshme.
Menaxhmenti i Aeroportit të Prishtinë këtë e paraqet si një të arritur të madhe për kompaninë e cila deri në vitin 2008 akuzohej për lëshime të mëdha teknike në mbarëvajtjen financiare, kontrollin e pasurisë, projektimin, implementimin dhe mbajtjen e kontrollit të brendshëm në shpenzimin e parasë. Gjithashtu edhe në mbajtjen e pasqyrave financiare në programe lehtësisht të manipulueshme si Excel etj.
Në raportin e kësaj kompanie audituese, sipas një komunikate të aeroportit, janë ndërmarrë auditivet në përputhje me standardet ndërkombëtare mbi auditimin.
“Procedurat e përzgjedhura varen nga vlerësimi i auditorit, përfshirë vlerësimin e rrezikut të paraqitjeve të gabuara materiale të pasqyrave financiare, qoftë për shkak mashtrimesh apo gabimesh. Ne besojmë se dëshmitë e marra nga auditimi janë të mjaftueshme dhe përshtatshme për t’i siguruar bazat e një mendimi të auditimit tonë”, thuhet në raportin e kompanisë Grant Thorton.
Në anën tjetër, drejtori Menaxhues i Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës Agron Mustafa, ka deklaruar se marrja e një opinioni të kualifikuar nga ana e kompanisë audituese paraqet një të arritur shumë të madhe për ANP`në.
Ai tha se i gjithë opinioni është në dijeni se deri para dy vitesh kjo kompani ka pasur vetëm vlerësime negative.
“Ky vlerësim, që vjen në këtë kohë, dëshmon për përkushtimin tonë të lartë në punën e mirë dhe eliminimin e të gjitha parregullsive të qëllimshme. Është një inkurajim i madh për mua si Drejtor Menaxhues, stafin tim menaxhues dhe të gjithë stafin që ka punuar për të marrë një opinion pozitiv të kualifikuar nga një kompani prestigjioze të auditimit”, ka thënë Mustafa.
Ai shtoi se kjo është veçmas më e rëndësishme shkaku i transferit të kësaj ndërmarrje nga një kompani publike në një private.
Sipas këtij raporti financiar të hyrat në kompani duke krahasuar vitin 2009 me vitin 2008 janë rritur për 5 milion euro, ndërkaq fitimi neto duke i krahasuar këto dy vite është më i lartë për 4 milion euro.