KPM: Klan Kosova theu heshtjen zgjedhore
Komisioni i Pavarur për Media (KPM) ka nisur procedurën për ndërmarrjen e masave ligjore ndaj TV Klan Kosovës, për shkak se ky subjekt transmetues ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Udhëzuesin 3 të KPM-së për Periudhën e Heshtjes së Mediave.
Gjatë monitorimit të mediave elektronike në ditën e Zgjedhjeve të Përgjithshme në Republikën e Kosovës, më 12 dhjetor 2010, Departamenti i Monitorimit dhe Analizave i Komisionit të Pavarur për Media (KPM), ka gjetur se OSHP Klan Kosova ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Udhëzuesin 3 të KPM-së, thuhet në komunikatën e KPM-së.
Për më tepër në komunikatë sqarohet se përkundër faktit që KPM ka udhëzuar OSHP Klan Kosova të veprojë në pajtueshmëri me Kreun VIII të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme dhe Udhëzuesin 3 të KPM-së për Periudhën e Heshtjes së Mediave, OSHP Klan Kosova ka vazhduar edhe më tutje të veprojë në kundërshtim me dispozitat ligjore.
“KPM duke i dërguar Njoftim për Shkelje ka filluar procedurën për ndërmarrjen e masave ligjore ndaj këtij subjekti transmetues”, përfundon komunikata.