E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paratestim për nivelin e njohurive

01/03/2010 Provimet e Maturës 2010, për plotësimin e A1 dhe A2 maturantët do të shlyejnë pagesën prej 1500 lekë

Kandidatët që duan të rijapin provimet me zgjedhje duhet të bëjnë kërkesë pranë shkollës

Hartimi i testeve për provimet e Maturës 2010 do të bëhet pas vlerësimit të njohurive dhe dijeve që nxënësit kanë akumuluar gjatë shkollës së mesme. Për këtë janë udhëzuar të gjitha shkollat e mesme që gjatë këtij harku kohor të zhvillojnë testime në të gjitha lëndët e provimeve për të parë nivelin e njohurive. Paratestimi do të ndihmojë në orientimin e nxënësve në lidhje me temat dhe llojet e pyetjeve që mund të bien në provimet e maturës. Njëkohësisht, këto vlerësime do të orientojnë edhe ekspertët e testeve në lidhje me shkallën e vështirësisë së pyetjeve që do të bien në tezë. Këto të fundit përbëhen nga pyetje të cilat u përgjigjen tri niveleve të vështirësive të nxënësve, duke filluar nga dijet më të thjeshta, për të përfunduar te pyetjet më të vështira, që janë për nxënësit e shkëlqyer. Tashmë është konfirmuar se rreth 80 për qind e pyetjeve të testit final do të merren nga programet orientuese që janë shpërndarë për të gjitha lëndët.

Rezultati

Kandidatët që në vitet shkollore 2005-2009 kanë dhënë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe nuk janë shpallur fitues ose nuk janë regjistruar në asnjë nga programet e studimeve të larta (e vërtetuar kjo nga dekanatet përkatëse), për këtë vit nuk janë të detyruar të rijapin provimet me zgjedhje, përveç rasteve kur e kërkojnë këtë vetë. Në përllogaritjen e pikëve për sistemin meritë-preferencë për këtë lëndë merret koeficienti që ka këtë vit. Në këto raste kandidatët i rijapin provimet me zgjedhje pranë shkollave të mesme ku kanë dhënë provimet e detyruara. Për këtë, ata duhet të bëjnë kërkesë pranë komisionit të Maturës të rrethit ku banojnë, duke paraqitur Dëftesën origjinale të Pjekurisë dhe mandatpagesën e një tarife fikse.

Pagesa

Për të plotësuar formularët e aplikimit për në shkollë të lartë për provimet me zgjedhje, si dhe për renditjen e 10 programeve të studimeve të larta, maturantët do të paguajnë një tarifë fikse. Kështu, regjistrimi për në provimet e maturës do të quhet i vlefshëm vetëm në rastet kur është dorëzuar dhe mandatpagesa e aplikimit, ku për provimet e 2010-ës, është vendosur që fatura, të cilën maturantët duhet të shlyejnë për plotësimin e formularëve A1 dhe A2, të jetë 1.500 lekë të reja.

Pranimet

Provimet e detyruara të maturës i jep çdo nxënës që ka përfunduar vitin e fundit të shkollës së mesme dhe ka plotësuar formularin përkatës. Çdo maturant mbetës në provimet e detyruara (D1 dhe D2) ka të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë (të vjeshtës), por nuk ka të drejtë të konkurrojë për programet e studimit në universitet publike gjatë këtij viti. Të drejtën për t’u pranuar në shkollat e larta këtë vit do të gëzojnë vetëm ata maturantë që do të klasifikohen kalues në të katër provimet e maturës si në lëndët e detyruara, ashtu edhe në provimet me zgjedhje, që do të zhvillohen më 30 qershor.

Përjashtimet

Për programet e studimit të Akademisë së Arteve, Akademisë së Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”, për programin e studimit “Edukim Fizik dhe Sporte” të Universitetit të Shkodrës dhe të Universitetit të Elbasanit, për programin e studimit “Arkitekturë” të Universitetit Politeknik të Tiranës, si edhe për programin e studimit “Pedagogji e specializuar” të Universitetit të Vlorës merren parasysh dhe rezultatet e konkurseve të pranimit. Për programet e studimeve të mësipërme, përveç programit të studimit “Pedagogji e specializuar”, nuk merren në konsideratë rezultatet e provimeve me zgjedhje.

Fituesit

Në rregulloren e provimeve përcaktohet se maturantët do të shpallen fitues vetëm nëse kanë mbledhur pikët e nevojshme në preferencën më të lartë. “Fitues jeni vetëm në një program studimi, në atë të preferencës më të lartë, edhe sikur të keni pikët e mjaftueshme dhe me renditje të kënaqshme për preferenca të tjera”. Kështu, pas mbylljes së procesit të llogaritjes së të pesë komponentëve të Maturës 2010, për çdo program studimi do të shpallet lista e kandidatëve të renditur sipas pikëve të fituara. Një kandidat mund ta shohë veten në fillimet e listës në disa programe studimi, por ai do të jetë fitues vetëm në atë program që i takon preferencës së tij më të lartë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›