E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitalet pa energji elektrike

Shkëputen dritat në qendrat shëndetësore, klasifikohen si institucione debitore, sepse nuk kanë kryer pagesat

Prej tri ditësh pjesa më e madhe e institucioneve të Qarkut të Fierit po përballet me një errësirë, për shkak të mungesës së energjisë. Kjo jo për shkak të kufizimeve, por për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, e cila nuk është paguar nga institucionet e ndëshkuara.

Burimet zyrtare të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për rajonin e Fierit pohojnë për “Shqip” se institucionet shëndetësore dhe ato arsimore janë më të prekura nga shkëputja e energjisë.

Sotir Sinani, kreu i OSSH-së për rajonin e jugut të vendit është shprehur se “qendrat shëndetësore pothuajse në të gjithë Qarkun e Fierit, pra në të tri rrethet Fier, Lushnjë e Mallakastër janë pa energji. Ajo u është shkëputur, pasi ishin debitorë. Ne kemi aplikuar shkëputjen e energjisë nga institucioni prej të cilit varen qendrat shëndetësore, ISKSH-ja”.

Drejtori Sinani ka thënë se shkëputja e energjisë për ISKSH-në dhe për sektorët vartës ka nisur ditën e enjte.

“Energjia do të rikthehet në atë periudhë kur do të shlyhet e gjithë shumë e debitit që rëndon mbi këto institucione”, ka sqaruar Sotir Sinani.

Sipas tij, nga aksioni i shkëputjes së energjisë elektrike kanë shpëtuar të gjitha ndërmarrjet e ujësjellësve.

Sinani ka theksuar se lista e institucioneve shtetërore debitore është mjaft e gjatë.

Në sektorin e “borxheve” në OSSH-në e Fierit të tregojnë se edhe poliklinikat qendrore të tri rretheve të qarkut, edhe spitalet civile të Lushnjës e Ballshit, si edhe spitali rajonal i Fierit rezultojnë debitorë. “Gërshëra” e ndërprerjeve konfirmohet se ka qenë më tolerante për këto institucione të rëndësisë së veçantë dhe atyre u është lënë një afat shlyerjeje. Megjithatë, edhe për spitalet mësohet se është aplikuar kufizimi për disa orë i energjisë. Vetëm spitalit të Lushnjës i është aplikuar 6 orë mungesë energjie dhe më afërsish me të njëjtën masë është ndëshkuar edhe spitali i Fierit dhe ai i Ballshit.

Energjia ka bllokuar punën në spitale, ndërkohë që pavijonet e rëndësishme janë sistemuar falë vendosjes së transformatorëve.

Sakaq, pa energji janë disa kopshte, çerdhe, shkolla të qarkut, komuna dhe bashki të vogla.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›