E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxhuku: Hetim për maunet kontrabandë

01/03/2010 Administratori i Konfindustrisë, kërkesë drejtësisë shqiptare

Brenda katër vjetësh, në Shqipëri 15 mijë maune “pa letra” nga Greqia

Administratori i përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, e cilësoi dje si një skandal lajmin e publikuar nga mediat greke për kontrabandën e 15 mijë maunave mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ai u shpreh se në këtë rast kemi të bëjmë me një skandal të përmasave të mëdha dhe kërkoi nisjen e një procesi hetimor për këtë çështje. “Konfindustria, duke marrë shkak nga dalja e paradisakohshme e të dhënave në shtypin grek për procesin hetimor të filluar për kontrabandimin e mbi 15 mijë mauneve në një periudhë të shkurtër kohore 4-vjeçare në disa pika doganore në kufirin ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë, kërkon ndërmarrjen e një hetimi të plotë të njëkohshëm mbi ngjarjen në fjalë edhe nga institucionet e ekzekutivit dhe drejtësisë shqiptare”, u shpreh Buxhuku. Ai vlerësoi se kontrabanda jep efekte në rrënimin e prodhimit shqiptar industrial dhe bujqësor në përfitim të prodhimeve greke të importit. “Është fakt i pamohueshëm, që sidomos prodhimi shqiptar në bujqësi dhe agroindustri është në nivele mjaft të ulëta prodhimi si pasojë edhe e konkurrencës së egër në çmim të prodhimeve të njëjta të importuara në vlera financiare. Gjithashtu theksojmë se importi i përgjithshëm nga Greqia është mbi 650 milionë dollarë në vit, ndërkohë që eksportet shqiptare janë 10 herë më pak”, u shpreh Buxhuku. Ai shtoi se kontrabanda sjell uljen e të ardhurave financiare në buxhetin e shtetit. Si dhe i jep “goditje të rëndë të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm të vendit si pasojë e largimit të padrejtë dhe të paarsyeshëm të parave të shqiptarëve jashtë Shqipërisë, si dhe duke drejtuar investimet e shqiptarëve vetëm në disa fusha të tejngopura të ekonomisë vendore dhe që bëhen shkak për nxitjen dhe thellimin e krizave të brendshme financiare dhe bankare”, përfundoi Buxhuku.

Hetimi, 10 doganierë grekë në akuzë

Janë të paktën dhjetë doganierët grekë që janë dërguar në bankën e të akuzuarve me akuzën e korrupsionit. Prokuroria e qytetit të Janinës ka hedhur në gjyq pesë doganierë të pikës kufitare të Kakavijës, katër të asaj të Mertzianis dhe një të doganës qendrore të qytetit. Para një viti policia e Janinës kishte marrë informacion se disa doganierë të pikave kufitare me Shqipërinë lejonin daljen nga Greqia drejt Shqipërisë, të shumë kamionëve me mallra, pa respektuar procedurat e duhura, duke marrë shuma të mëdha në dorë nga shoferët e tyre. Pas një hetimi që zgjati për disa muaj u zbulua se dhjetë doganierët, duke vepruar herë në mënyrë personale dhe herë në grup, lejonin daljen e kamionëve shqiptarë pa respektuar kodin e doganave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›