Pardew: Marrëveshja e Ohrit zhvilloi Maqedoninë

Marrëveshja e Ohrit e çoi Maqedoninë përpara, drejt një demokracie të plotë, të të drejtave qytetare dhe të njohjes së identitetit kulturor dhe etnik të njerëzve në vend.
Ky është vlerësimi i diplomatit amerikan James Pardew lidhur me rastin e dhjetëvjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, ku ai ishte ndërmjetës në bisedimet mes palës maqedonase dhe asaj shqiptare për ndërprerjen e konfliktit të armatosur.
Lidhur me disa kritika të caktuara të cilat u paraqitën për esencën e marrëveshjes, se ajo jo vetëm që nuk implementohet por nuk është instrument i mirë për mbrojtjen e të drejtave etnike të shqiptarëve dhe bashkësive të tjera etnike, Pardew tha për “DW” se pikat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit në masë të madhe janë realizuar.
“Mund të themi se parimet e Marrëveshjes Kornizë janë miratuar”, ka thënë ai duke shtuar se kjo marrëveshje paraqet model për tejkalimin e konflikteve etnike në rajone tjera të krizës në botë.
”Mendoj se Marti Ahtisaari e shfrytëzoi Marrëveshjen e Ohrit për parimet e tij në Kosovë. Vlerësoj se aplikohet po ashtu edhe në rajone tjera”, thekson Pardew.
I pyetur për të komentuar qëndrimet e disa liderëve të partive shqiptare se marrëveshja duhet të zgjerohet me një spektër të ri të kërkesave të shqiptarëve, Pardew thotë se ”marrëveshja e Ohrit është kryer”.
“Kur them "e kryer" mendoj se nuk do të hapet për debate dhe se është në duart e maqedonasve dhe shqiptarëve që të zgjidhet kjo çështje” ka shtuar Pardew.