E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paris-Dakar për Kosovën

Diplomacia shqiptare ne ofensive per njohjen e pavaresise se Kosoves. Ministri shqiptar lobon ne Konferencen Islamike. Deputetet e djathte ne Keshillin Europes

Në dy veprimtari të ndryshme të organizmave ndërkombëtare në Paris dhe në Dakar, zyrtarë të qeverisë dhe të Kuvendit kërkojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Por natyrisht nuk bëhet fjalë për garën klasike rally Paris-Dakar, e cila u zhvendos për herë të parë këtë vit në Kili, pas kërcënimeve terroriste. Kërkesat u parashtruan në Konferencën Islamike, e cila nisi punimet dje rreth orës 12.30 me orën tonë lokale, në kryeqytetin e Senegalit, Dakar, dhe më pas në Komisionin Politik të Këshillit të Evropës në Paris. Delegacioni i Shqipërisë në Dakar udhëhiqet nga ministri i Jashtëm, Lulzim Basha. Ministri theksoi mbështetjen e Shqipërisë për Republikën e Kosovës dhe po lobon me 57 vendet anëtare të Konferencës Islamike për ta njohur pavarësinë. Shqipëria mbështet kërkesën e Turqisë për njohjen e Republikës së Kosovës, kërkesë për të cilën janë kundër Azerbajxhani, Egjipti, Indonezia dhe Sudani. Këto shtete kërkojnë që në deklaratën e takimit të shprehet vetëm mbështetja për popullin e Kosovës. Deri tani 5 shtete anëtare e kanë njohur veçmas Republikën e Kosovës, mes tyre Shqipëria. Tema e punimeve të konferencës është “Islami në shekullin XXI”. Diskutimet që dje dhe sot zhvillohen edhe për ekonominë, Afganistanin, Irakun, strukturimin e Kombeve të Bashkuara, garantimin e një ulëseje për vendet myslimane në Këshillin e Sigurimit dhe emërimin e një ambasadori të përhershëm në Bashkimin Evropian. Ndërkaq, zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare dhe zëvendëskryetar i grupit parlamentar të Partive Popullore Evropiane në Këshillin e Evropës, Aleksandër Biberaj, u bëri thirrje vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë, që ta bëjnë këtë akt sa më shpejt. Biberaj, deputet i PD-së, argumentoi se Kosova është rast i veçantë dhe nuk mund të përdoret si shembull në asnjë rast tjetër. Sipas Biberajt, Pavarësia e Kosovës mbyll kapitullin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe Kosova e pavarur po i shërben paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkan. Biberaj vlerësoi Kuvendin, qeverinë dhe popullin e Kosovës për menaxhimin e shkëlqyer, sikurse u shpreh, që po i bëjnë gjendjes së re pas pavarësisë. Ai i bëri thirrje pakicës serbe, që të përshtatet me realitetin e ri politik në Kosovë dhe të bëhet pjesë e Kuvendit dhe e qeverisë në Prishtinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›