E Diel, 1 Nëntor 2026

Paris, vleresim Kabashit per "Apologjine se Sokratit"

DURRëS- Aktori i mirënjohur shqiptar Mirush Kabashi ka marrë duartrokitje dhe vlerësime të veçanta në përfundim të shfaqjes së monodramës "Apologjia e vërtetë e Sokratit" në teatrin "La Palace" të Parisit mbrëmjen e së hënës. "Një aktor i magjishëm dhe i mahnitshëm! Shqipëria nuk ka pse të ketë zili kërkënd në fushën e aktrimit!
Patëm përballë një gjigandi skene të kalibrit botëror!", ishin disa nga konsideratat e para të personaliteteve të kulturës dhe artit francez menjëherë pas shfaqjes së organizuar në kuadrin e 40-vjetorit të Frankofonisë me mbështetjen e Ambasadës së Shqipërisë në Paris.
Shfaqja e dhënë në një ndër teatrot prestigjiozë të Parisit, me nismën e teatrit "La Palace" dhe shoqatës "Shtëpia e shqiptarëve", gjeti interesim të gjërë jo vetëm nga shqiptarë me banim në Francë, por edhe nga personalitete franceze apo Ambasadorë e përfaqësues të lartë të vendeve europiane e të rajonit.
Pas përshëndetjeve të rastit nga aktori i shquar me origjinë shqiptare Halil Vardar si dhe Ambasadori shqiptar, Ylljet Aliçkaj, të pranishmit ndoqën monodramën e interpretuar nga “Mjeshtri i Madh” Mirush Kabashi, vënë në skenë prej tij në vitin 1997 dhe vlerësuar me tituj nderi në disa Festivale ndërkombëtare.
Menjëherë pas shfaqjes dhe duartrokitjeve të gjata disa nga personalitetet më të shquara të pranishme kanë vlerësuar përmes mediave interpretimin e Kabashit.
Dramaturgu dhe regjisori i njohur Christian Grenier u shpreh: "faleminderit aktorit të mrekullueshëm Mirush Kabashi që më dha rastin një herë në jetë që të takoj Sokratin e vertetë. Një aktor i magjishëm!".
"Ju faleminderit për lumturinë që më dhatë. Fillimisht erdha si detyrim miqësor, më pas e kuptova se mosardhja do të më privonte nga një ngjarje artistike e përmasave botërore", vlerësoi Jean-Michel Pignou, kryeredaktor i Shoqërisë së Përgjithshme të shtypit francez.
Presidenti i shtëpise botuese "Chapitre 12", Pierre Olivier Simon, pas shfaqjes u shpreh: "çfarë të thuash për këtë mbrëmje të mrekullueshme. çfarë lumturie, çfarë emocioni !!!".
Patrick Gobert, drejtori i "Arche de Defense", tha se "befasia e emocioneve të para m'u duk sikur vinte nga fakti se nuk e njihja Shqipërinë dhe çdo gjë që vinte nga ai vend do më habiste, por më pas kuptova se isha përballë një gjigandi skene të kalibrit boteror". "Shqipëria nuk ka pse të ketë zili kërkend në këte fushë", përfundoi ai.
"Mbeta pa frymë. Kabashi ishte i mahnitshëm", tha Corinne Ricouart, nga Shtëpia Botuese “Edition Pyramidion”.

(d.b/ATA/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›