E Diel, 1 Nëntor 2026

Parisi, sipas Maks Velos

Artisti prezanton në një mënyrë origjinale punë e tij. Pikturat nuk janë vendosur më mur por në një kavaletë të vogël, një nga një


Dje në mbrëmje në ambientet e kafe "Amaltea", artisti Maks Velo prezantoi ekspozitën
"Vizatime nga Parisi". Ekspozita e realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Francës në kuadër të "Pranverës së Frankofonisë", ishte një mënyrë e veçantë e prezantimit të punëve.


Në një kavaletë të vogël të vendosur në cep të lokalit janë paraqitur një nga një 50 punët që artisti Maks Velo ka realizuar gjatë udhëtimeve të tij në Paris, në 15 vitet e fundit. Punët janë realizuar në dy teknika: pastel dhe bojë kine.


Janë pamje nga pika të ndryshme të Parisit. Maks Velo, në këtë rast si piktor, tregon për punët, Parisin dhe Shqipërinë.


Z. Maks si nisi puna për krijimin e këtyre pikturave?


Është e pashmangshme për një piktor të shkojë në Paris dhe të mos krijojë. Është si puna e Venecias, që është kaq piktoreske sa të detyron ta vizatosh. Këto janë piktura të bëra gjatë këtyre 15 viteve të fundit, që nga 1992 deri në 2007. Çdo herë që shkoja në Paris bëja dy-tre punë. Unë gjithë jetën kam vizatuar qytetet apo ajo që quhet peizazhi urban.


Fillimisht vizatimin kështu e kam filluar. Që kur isha student bëra ekspozitën e parë në Institutin Politeknik, me pamje nga Gjirokastra dhe Berati.

Por në ndryshim nga ato, (megjithëse edhe ato vizatime janë mjaft ekspresioniste, impresioniste) tani jam munduar të punoj me një linjë të pastër, shumë të kursyer dhe ekspresive.



Një pjesë e mirë e pikturave të kësaj ekspozite përmban piramidën që ndodhet në muzeun e "Luvrit". Çfarë përfaqëson ajo?

Piramida është një objekt mjaft sugjestionues. Meqenëse është e ftohtë si formë merret shpesh.


Aty kontrasti është shumë i bukur, piramida me xham dhe Luvri vetë me gjithë ato dekore, gjithë ai monument. Megjithatë edhe urat janë shumë të bukura. Ngado të shkosh hasesh me shumë imazhe. Unë kam krijuar një kujtesë figurative për Parisin që nuk më ndahet.


Parisi ka një gjë të jashtëzakonshme, aty piktori gjen zgjidhje për ato që i ka kërkuar në mendje për shumë vjet. Edhe unë aty kam gjetur zgjidhje për shumë nga punët e mia.

Parisi dimë që është vendi juaj i lindjes. Çfarë vendi mendoni se zë origjina tek njeriu?

Ka shumë rëndësi, është ADN-ja, është embrioni. Kur vajta në Paris në mars '92-it, shkova në vendin ku kisha jetuar i vogël.


Kam gjithë ato fotografi të bëra aty me nënën, me gjyshen. Në atë vend orientohesha shumë mirë më dukej sikur kisha kaluar vetëm një ditë më parë.


E bukura ishte që ata ruanin gjithçka siç kishte qenë, kangjellat, stolat. Asnjë gjë e lëvizur për rreth 40 vjet. Francezët janë një popull që pikërisht këtu e kanë vlerën, te moderniteti i vjetër antik.


Në Paris gjen modernitetin dhe ky modernitet i tyre është i vërtetë sepse të tregon të gjitha etapat dhe ti i ke parasysh të gjitha, në çdo moment. Sigurisht që unë po jap eksperiencën time personale.


Kam bërë një art personal, një art ballkanik, shqiptar. Parisi më ka treguar vetëm se si duhet bërë, si është rruga më e mirë, si nuk duhet të kopjosh.

Parisin këtu e keni shprehur nëpërmjet ndërtesave dhe objekteve të tjera arkitekturore...
Unë mendoj që arti ka avantazhin se të jep shumë informacion menjëherë dhe duke të dhënë kënaqësi.


Unë mendoj që në arkitekturë shprehen të gjitha. Këto ditë kam lexuar një libër të përkthyer nga frëngjishtja Morris Vie, "Sekretet e ndërtuesve", aty jepen me detaje se si kanë punuar francezët, gjatë mijëra vjeçarëve katedralet, qytete, shtëpitë, rrugët.


Dhe ti kupton që nga ndërtimi kanë arritur këtu ku janë. Këtë kam dashur unë të jap. Domethënë ato ura, ato mrekulli, ato detaje kanë bërë që ky popull të jetë në pararojën e artit dhe i ka dhënë shumë njerëzimit.


Por ka edhe një nivel tjetër të të lexuarit të këtyre punëve


Parisi është vendi i shumë ngjarjeve. Ne shohim që gjatë shekujve ata kanë ndërtuar rregulla dhe ligje për çdo gjë, për çdo gur të vendosur, për çdo kopsë të qepur, për çdo fije bari.

Dhe duke pasur këtë eksperiencë të madhe kanë arritur që të jenë shumë të ndërgjegjshëm në raportin më të rëndësishëm dhe delikat, mes asaj çka do marrësh dhe çka do t'i japësh shoqërisë.

Ne të gjithë mendojmë që duhet të marrim nga kjo shoqëri dhe shumë pak mendojnë se duhet t'i japin. Kjo kujtesë dhe ky kujdes i madh që kanë ata për pronën publike, i ka bërë që të mos shkatërrojnë asgjë, të mos prekin asgjë, të ruajnë natyrën, të ruajnë kafshët, objektet dhe pikërisht këtu qëndron edhe pasuria. Pasuria nuk është shtëpia jote, pasuria është gjitha jeta jashtë shtëpisë.

Ne kemi mentalitet oriental, bota mbyllet kur mbyllet dera, dhe kjo është pasuria e fisit e klanit e familjes. Nuk bëhemi merak se çfarë ka jashtë. Kjo është antiteza e qytetërimit perëndimor me atë lindor.

Po qytetërimi shqiptar në çfarë raporti është me atë të botës?


Qytetërimi shqiptar i afrohet më shumë qytetërimit oriental. Meqenëse ne aty realisht e kemi bazën, nën pushtimin e tyre qëndruam për rreth 500 vjet.

Pikërisht gjysmë mijëvjeçarin më të rëndësishëm. Atëherë ku bota evoluoi, ne ngelëm dhe u stacionuam në një shallvare dhe kazan me avull.

Dhe dolëm në vitin 1910, me trëndafil dhe salep. Kur sheh fotografitë e Tiranës së asaj kohe shikon se këtu ishte shumë më keq se në Stamboll. Kjo gjë nuk kalohet lehtë. Do punë shumë por mbi të gjitha mos kthim mbrapsht.


Sa larg e shihni Tiranën nga kryeqytet e tjera?

Unë nuk besoj se është mirë t'i bëjmë këto krahasime, ne nuk mund të afrohemi as me Romën, as me Parisin, as me Petërburgun, as me Nju Jorkun. Nuk i arrijmë dot këto përmasa.


Ne duhet të bëhemi një qytet normal, të mos kemi plehra, të mos kemi agresion, të jemi të edukuar, të mos prishim parkun e madh, të bëjmë rrugë, të kemi ndriçim, të kemi sinjale rrugore. Kemi shumë punë për të bërë, nuk mund të arrijmë në ato nivele.


Në qoftë se do t'i kushtonit një ekspozitë Tiranës ku do të ndaleshit?


Unë këtë detyrë e kam plotësuar. Unë këtu i kam filluar vizatimet, tek Pazari i Vjetër. Kam vizatuar gratë të ulura, objekte, gjithë dyqanet, shtëpitë karakteristike. Nuk ka piktor që ka bëra kaq shumë piktura me Tiranën sa kam bërë unë.

Në këto raste njeriu qëndron tek ato gjërat e vjetra, te Pazari i Vjetër që e kam vizatuar të gjithin, kafe Kursali, rrugicat, një shtëpi të vjetër tek rruga "Hoxha Tasim", çdo gjë që është e vjetër.

Po nga të rejat


Arkitektura e re nuk ofron ndonjë ngacmim për t'i vizatuar. Nuk është se të resë i mungon ndonjë gjë, por arkitektura e vjetër ka pasur shumë frymëzim, punohej detaj më detaj.

Një katedrale si "Notre Dame" është e punuar nga të gjitha anët, është punuar me qindra vjet për të. Dhe kombinimi i saj me Senën, me urat, me sheshet është një gjë fantastike që sot nuk krijohet.

---------------------------------------------------------------------------------------------

Ooo........ Zoti ministër


Teatri Kombëtar i Kosovës këtë fundjavë ka shfaqur për publikun kryeqytetas komedinë "Tartufi" të Molierit. Loja e aktorëve ka mbajtur pezull publikun për më shumë se një orë.

Shumë e gjetur ka qenë loja e aktorit Cun Lajçi i cili për pak sekonda e ka bërë publikun të besojë se kishte humbur ndjenjat në skenë. Madje trupa e aktorëve nga Kosova nuk i ka kursyer batutat edhe për ish-ministrin e Kulturës, Ylli Pango.

Ndonëse bëhet fjalë për një komedi të shkruar katër shekuj më parë, aktorët kanë gjetur një moment për të komentuar sipas mënyrës së tyre sjelljen e ish- ministrit. Në natën e dytë të shfaqjes, Kopraci (Cun Lajçi) nuk ka mundur do ta mbajë thirrjen "Ooo Zoti Ministër" teksa kap në befasi Tartufin duke ngacmuar bashkëshorten e tij.


Regjisori Rahim Burhan i cili nuk ishte prezent në premierën shqiptare, me këtë pjesë kishte sjellë Kopracin e Molerit në ditët sotme. Një gjë të tillë e kishte realizuar vetëm nëpërmjet skenografisë së Nurullah Tuncer dhe kostumeve tërësisht myslimane të kostumografit Blagoj Micevski. Mendësia e Kopracit nuk kishte marrë asgjë nga ajo myslimane.



Perkusioni i Toskanës në Tiranë


Edicioni i nëntë i Stinës Koncertore Ndërkombëtare sjell në Tiranë orkestrën e Toskanës. Formacioni i perkusionit të ORT (Orkestra e Toskanës) interpreton të enjten në orën 19:00 në sallën e Akademisë së Arteve. Në repertorin e mbrëmjes janë kompozitorë të njohur si Enio Morriconn, Nino Rota, Nicola Piovani etj.


ORT është formuar në vitin 1980 në Firence. Përbëhet nga 45 muzikantë të cilët janë të ndarë në formacione të ndryshme dhome. Kjo orkestër vjen në Shqipëri me ndihmën e Ambasadës Italiane dhe Institutit Italian të kulturës.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›