E Diel, 1 Nëntor 2026

"Pranvera" vë në pranga tre vetë

OPERACIONI/ Të arrestuarit do të përfitonin 6 mijë euro nëse kalonin pesë shtetas në Greqi


KORÇË- "Pranvera" vë në pranga tre persona, mes të cilëve edhe një 27-vjeçare. Operacioni i policisë u zhvillua në rrethin e Devollit, ndërsa tre të arrestuarit akuzohen për "dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit përkundrejt fitimit".

Ylli Palla, 48 vjeç, banor i fshatit Koshnicë në rrethin e Devollit, Florian Martaneshi, 25 vjeç, nga Tirana dhe Lele Hamzallari, 27-vjeçare, nga Pogradeci janë të arrestuarit. Të tre këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të kalojnë në drejtim të Greqisë nëpërmjet kufirit shtetëror në rrethin e Devollit 5 shtetas mes të cilëve dhe dy vogëlushë.

Klandestinët do të paguanin 6 mijë euro kur të mbërrinin në destinacion, ndërkohë që janë kapur nga policia në shtëpinë e Ylli Pallës në fshatin Koshnicë ku ishin duke u strehuar në përgatitje për të ndërmarrë udhëtimin në këmbë nga mali. Klandestinët ishin nga Tirana dhe Lushnja, ndërsa destinacioni i tyre ishte qyteti grek i Selanikut.

Njeriu që i priste ishte 48-vjeçari Palla, ndërsa ata janë transportuar nga Pogradeci në drejtim të fshatit kufitar të Koshnicës nga Lule Hamzallari. Në banesë ata i priste përveç të zotit të shtëpisë dhe njeriu që i kishte gjetur, Florian Martaneshi, nga Tirana. Pas informacioneve, policia prangosi tre organizatorët e këtij trafiku bashkë me klandestinët, ndërsa në banesën e Pallës u gjet dhe një sasi droge e llojit kanabis sativa në peshën 1,6 gramë.

"Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit" është akuza që rëndon mbi tre të arrestuarit, ndërsa burime të policisë vendore thonë se pritet të ketë ndalime të tjera në rrjetin që dyshohet se vepronte prej disa kohësh për transportimin e klandestinëve nga rrethe të ndyshme të vendit drejt Greqisë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›