Madhi: 130 mijë ha tokë për kompensimin fizik
70 mijë ha tokë kullota, pyje dhe livadhe, 30 mijë ha parqe dhe 30 të tjera troje të pafrytshme
TIRANË- Në një kohë kur Ministria e Bujqësisë ende nuk ka publikuar zyrtarisht shifrën përfundimtare për fondin e kompensimin fizik, Kryetari i grupit parlamentar i PR-së, Arjan Madhi, ka deklaruar dje se, deri më tani, nga verifikimet që janë bërë, rezulton se janë 130 mijë ha tokë të identifikuara në të gjithë Shqipërinë, që do të bëhen të disponueshme për ish-pronarët, të dhëna këto, të përvetësuara nga ai, pikërisht nga dikasteri i Bujqësisë.
"Janë rreth 70 mijë ha tokë kullota, pyje dhe livadhe, që sigurisht marrin një vlere tjetër, meqë vendndodhjen e kanë në bregdet.
anë 30 mijë hektarë të tjerë, parqe kombëtare, të cilat dhe këto mund të vihen në dispozicion të procesit. Ka dhe toka të pafrytshme, por që nuk mund të mos ndodhë që të shfrytëzohen, qoftë dhe për interesa të ndërtimit, por me troje janë rreth 30 mijë hektarë. Çka do të thotë që, në një masë të përgjithshme, janë rreth 130 mijë hektarë",- tha dje Madhi.
Ndërkohë, pak ditë më parë, zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, deklaroi se janë plot 4 mijë ha tokë të identifikuar në Ultësirën Bregdetare të Adriatikut, si dhe në brigjet e Liqenit të Shkodrës dhe Ohrit, që do të vihen në dispozicion të procesit të kompensimit të pronarëve.
Nga grupi ad- hoc, i ngritur për të identifikuar tokat publike në zonat turistike, të cilat do të përdoren për kompensimin e pronarëve, përpos 4000 ha, tashmë të përvijuar, deri tani janë në përfundim të procedurave të verifikimit edhe 2000 ha të tjerë të mundshëm, në vijën bregdetare të Shqipërisë.
Vetëm në qershor të vitit të shkuar, u identifikuan 20 mijë ha tokë bujqësore të gatshme për kompensim. Krijimi i fondit për kompensimin fizik të ish-pronarëve, është rruga kryesore që qeveria sheh.
Kjo, sepse, deri më tani, kompensimi financiar për ish-pronarët, ka qenë në kufijtë minimalë, pa llogaritur edhe shtyrjet e vazhdueshme dhe të pajustifikueshme nga ana e qeverisë për lëvrimin e fondit.
Vetëm pak kohë më parë, ish-pronarët arritën të përfitonin nga fondi i vitit 2008, ndërkohë që për këtë vit, nga AKKP-ja ende nuk kanë filluar procedurat për shpalljen e listës së ish-pronarëve.