Parkimi me pagesë,nisin gjobat për shkelësit

Vetëm brenda një tetë orëshi gjatë ditës së hënë janë parkuar rreth 70 deri ne 80 automjete pranë bulevardit "Dëshmorët e Kombit", ku parkimet tashmë bëhen me pagesë. Siç duket qytetarët janë dakord dhe të kënaqur me administrimi e ri të parkimeve me pagesë nga Bashkia e Tiranës , sepse vetëm brenda një tetë orëshi janë paguar rreth 13 mijë lekë të vjetëra për parkimet një orëshë dy orëshë apo dhe tre orëshe. Nga ana tjetër që në ditën e parë të zbatimit të këtij projekti janë marrë masat administrative për ata që nuk kanë respektuar orarin e paguar për parkim, por dhe për ata që nuk kanë paguar fare biletën dhe gjobat kanë shkuar deri në 3 mijë lekë të reja.
Që nga data 16 gusht ka filluar funksionimi i ri i parkimeve në bulevardin "Dëshmorët e kombit" dhe në zonën pranë stadiumit "Qemal Stafa", ku të gjithë ata që parkojnë automjetet e tyre duhet më parë të blejnë një biletë parkimi e cila për nje orë kushton 100 lekë të reja. Bileta duhet gërvishur për datën dhe orën përkatëse dhe duhet vendosur në xhamin e automjetit që të jetë lehtësisht e kontrollueshme.