Withers: Policia të ndahet nga manipulimi politik
Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë ka kërkuar krijimin e një shërbimi policor autonom
TIRANË- “Forca policore e kontrolluar nga politika dhe e frikshme për publikun duhet t’ia lerë vendin shërbimit policor autonom”. Kështu pohoi dje, gjatë “Konferencës Ballkanike për Trajnimin e Policisë”, ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers. Në konferencën ku merrnin pjesë drejtues të policisë nga shtetet e Ballkanit, ambasadori Withers pohoi se: “si në mjediset post-konfliktuale, ashtu edhe në demokracitë në zhvillim, ndryshimi i rolit të policisë nga një forcë policore në shërbim policor është shpesh i vështirë. Pavarësia e policisë nga manipulimi politik është jetësore për ndërtimin e besimit të publikut dhe paqen dhe sigurinë e një vendi”. Në konferencën e zhvilluar dje është theksuar nevoja për trajnimin dhe arsimimin e punonjësve të policisë, për të pasur sukses në zbatimin e ligjit. “Çelësi për të pasur një organizim të suksesshëm në profesionin e zbatimit të ligjit gjendet tek burimet njerëzore, oficerët dhe stafi juaj. Ata duhet të trainohen dhe arsimohen për të kryer funksionet kryesore të punës së tyre dhe për t’i kryer detyrat e tyre me krenari, iniciativë, vetëbesim dhe bindje. Ky lloj ndryshimimund të jetë kërcënues për disa, por mirëpritet nga të tjerë që e duan demokracinë dhe shohin drejt përfshirjes në institucionet euro-atlantike’,-ka shtuar Withers. Trajnimi dhe edukimi i anëtarëve të forcave policore është cilësuar jetësor për ecjen përpara në ngritjen e një shërbimi policor profesional në një demokraci në zhvillim dhe në këtë drejtim kanë folur edhe drejtuesit e policive të vendeve të rajonit, pjesëmarrëse në këtë konferencë.