E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parku Arkeologjik i Apolonise lihet ne harrese

Fier Afati shtyhet në muajin shkurt, donatorët braktisin

Muaji dhjetor duhej të shënonte edhe rikonstruksionin total të Qendrës Muzeale të Parkut Kombëtar Arkeologjik “Apolonia”. Po nuk ka ndodhur kështu. Deklarata e muajit gusht e Ferdinand Xhaferajt, ministrit të Kulturës, në të cilën premtonte se falë një bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës dhe UNESCO-s në muajin dhjetor do të krijohej mundësia e rivitalizimit të Muzeut të Apolonisë. Me gjithë deklaratën në dukje të sigurt, asgjë nuk ka ndodhur deri më tani. Premtimet e ministrit për të vënë në funksion këtë qendër duket se janë harruar dhe kanë ikur bashkë me vapën e gushtit. 24 statujat e gjetjet e tjera me vlerë të zbuluara ndër vite në Apoloninë e lashtë vazhdojnë të qëndrojnë të ekspozuara në shi, diell dhe acar. Ato nuk do të mund të rivendosen në pavijonin e muzeut që do të rikonstruktohej e do të përurohej brenda këtij viti. Punimet as që kanë filluar. Në drejtorinë e menaxhimit të parkut e justifikojnë këtë fakt me mosçeljen e fondeve nga UNESCO, pavarësisht projekteve të shumta që kanë ekzistuar. E me gjithë këtë, në parkun e arkeologjisë jepet edhe një afat tjetër për përmbushjen e premtimit të ministrit që i takon muajit shkurt. Donatorët duket se janë problemi i mosmbajtjes së premtimit të ministrit. Nga administrata e ministrisë mësohet se projekti është miratuar, madje është bërë dhe maketi për të. Gjithashtu është bërë skedimi i të gjitha objekteve. Nga ana teknike gjithçka është gati. Ndër të tjera mësohet se një problem tjetër që është shtuar janë edhe disa procedura administrative që kanë të bëjnë me lëvrimin e fondeve dhe që janë përgjegjësi e donatorit. Drejtoria e parkut ka pasur kontakte të vazhdueshme me ministrinë dhe është informuar se brenda muajit shkurt gjithçka do të përfundojë. Deri në shkurt, edhe pse stinë me kushte atmosferike të vështira, statujat e rrezikuara do të qëndrojnë në natyrë. Edhe muzeu e muret e tij mbajtës do përpiqen të mbijetojnë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›