Humb Flamurtari, përfiton Vëllaznimi
Xhiroja e 30’të e Superligës e ka bërë edhe më të paqartë luftën për mbijetesë. Flamurtari ka pësuar humbje nga Ferizaj, i cili i mban gjallë ende shpresat për mbijetesë.
Nga humbja ka përfituar Vëllaznimi, i cili e mposhti Ballkanin. Pas humbjes në Gjakovë, edhe therandasit rrezikohen me largim nga Liga.
Ferizaj – Flamurtari 1:0
Derbi i skuadrave të rrezikuara për të rënë nga Superliga i ka takuar Ferizajt. Ferizajasit kanë shënuar fitore minimale por shumë të vlefshme ndaj Flamurtarit, e cila ua mban gjallë shpresat për mbijetesë.
Egzon Shabani ka qenë hero i mikpritësve, pasi që e shënoi golin me peshë në minutën e 40-të.
Në vazhdim, mysafirët kanë provuar ta barazonin rezultatin me Alban Ugzmajlin, por ishte i pasaktë. Në pjesën e dytë, vendësit luajtën me një lojtar më pak, pasi që Milaim Hasani u ndëshkua me karton të kuq.
Vëllaznimi – Ballkani 1:0
Vëllaznimi ka shënuar fitore të rëndësishme ndaj Ballkanit, në fazën vendimtare të kampionatit. Gjakovarët e kanë nisur furishëm takimin duke e goditur tërthorësen përmes Atdhe Gashit. Disa minuta më vonë, respektivisht në atë të 32-të, kapiteni i kuqezinjve e shënoi golin e fitores.
Rastet e vendësve kanë vazhduar edhe në pjesën e dytë, kur Denis Isaja goditi shtyllën. Mysafirët luajtën më të tërhequr dhe sulmonin kohë pas kohe. Ata e patën një rast të mirë me anë të Fitim Krushës. Kjo fitore e ngre Vëllaznimin në pozitën e 10-të, falë humbjes së Flamurtarit në Ferizaj. Ndërsa kjo humbje Ballkanin e fut në mesin e ekipeve të rrezikuara.
Besa – Trepça ’89 1:0
Besa ka arritur fitore minimale ndaj Trepçës ’89. Pejanët e shënuan golin e fitores në minutën e 30-të, kur pas një kundërsulmi, Diar Miftaraj e plasoi topin në rrjetë. Në pjesën e dytë, mysafirët patën raste të qindpërqindta përmes Ambes e Baliqit, por ata u treguan të pasaktë.
KEK-u – Drenica 0:4
Drenica, e cila po përballet me krizë financiare, ka shënuar fitore të thellë në Kastriot ndaj KEK-ut. Kuqezinjtë kanë shkëlqyer në këtë duel duke e deklasuar ekipin vendës. Taulant Dajaku ka realizuar dy gola, të parin në minutën e 35-të të pjesës së parë dhe të dytin në atë të 82-të. Ndërsa, dy golat tjerë për kuqezinjtë i realizuan përmes Hivzi Kabashit në minutën e 66-të dhe Feriz Bajraktarit (79’). Vendësit në 30 minutat e fundit të ndeshjes luajtën me një lojtar më pak, pas ndëshkimit me karton të kuq të Arsim Plepollit.
Tabela
1. Hysi-63
2. Prishtina-62
3. Liria-44
4. Besa-43
5. Trepça ’89-40
6. KEK-u-40
7. Trepça-39
8. Drenica-38
9. Ballkani-35
10. Vëllaznimi-32
11. Flamurtari-30
12. Ferizaj-29