E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlament, sot votohet heqja e imunitetit të Metës

TIRANE-Parlamenti pritet të votojë sot për heqjen e imunitetit të ish-zv/kryeministrit Ilir Meta. Këshilli për rregulloren, mandatet dhe imunitetet miratoi në unanimitet kërkesës e prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetit të LSI-së, Meta.
“Këshilli për rregulloren mandatet dhe imunitetin i propozon njëzëri Kuvendit të Shqipërisë dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit Ilir Meta”, - thuhet në raportin që do të paraqitet sot në seancën plenare. Në raportin e hartuar nga dy deputetët Gumi i PD-së dhe Gjiknuri i PS-së theksohet se “në mbledhjen e Këshillit, përfaqësuesit e pozitës dhe të opozitës parlamentare në të ritheksuan qëndrimin se janë të hapur dhe do të votojnë “Pro” çdo kërkese të Prokurorisë së Përgjithshme për dhënie autorizimi për fillimin e ndjekjes penale ndaj cilitdo deputet”. Raporti që do të paraqitet sot në seancën plenare është pranuar nga anëtarët si të opozitës dhe të maxhorancës. Ndërsa pritet që shqyrtimi i kësaj pike të jetë në rendin e ditë së seancës së sotme plenare.
Sot, të mërkurën seanca plenare do të vendosë në të njëjtën kohë dhe në lidhje me nismën e Partisë Demokratike për kufizimin e imunitetit të deputetëve.

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli mblodhi sërish deputetët për të diskutuar për herë të dytë mbi nismën e deputetëve të PD-së për kufizimin e këtij imuniteti. Opozita ka qenë kundër kësaj nisme duke e cilësuar si në kundërshtim me procedurat të parashikuara në rregulloren e Kuvendit. Socialistët kërkuan që më parë seanca ta përfshijë në kalendar nismën e PD-së dhe më pas të caktohet se kur duhet të shqyrtohet në komisione dhe të votohet në seancë plenare. Por, kjo është kontestuar nga maxhoranca, e cila ka qenë pro përfshirjes me procedurë të përshpejtuar të kësaj nisme. Sipas njoftimit zyrtar të Kuvendit, “konferenca e kryetarëve vendosi që në seancën e nesërme plenare, të ditës së mërkurë, 16.02.2011, ora 10:00, të shqyrtojë kërkesën e prokurorisë për dhënien e autorizimit për fillimin e procedimit penal ndaj deputetit Ilir Meta, si dhe projekt-vendimin për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të propozimit të shtesave dhe ndryshimeve të rregullores së kuvendit dhe aneksit të saj për kufizimin e imunitetit dhe kushtet e autorizimit të ndjekjes penale. Përfaqësuesit e opozitës u shprehën kundër”.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›