E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamentarët evropianë: Zgjidhje ligjore ngërçit politik, opozita të qëndrojë në parlament për reformat

Parlamenti Evropian kërkon sërish nga forcat politike të Shqipërisë zbatimin e reformave për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në BE. Duke marrë shkas nga ngërçi politik i pazgjidhur, parlamentarët e Unionit, përsërisin thirrjen për dialog dhe konsensus brenda Kuvendit. Përmes një deklarate të përbashkët, dy forcat politike të Parlamentit Europian, PPE dhe PSE kanë shprehur keqardhje për moszgjidhjen e mosmarrëveshjeve në politikën shqiptare. Sipas deklaratës së Kryetarit të Grupit të PPE Joseph Daul dhe Presidentit të socialdemokratëve në PE, Martin Schulz shprehet keqardhje që forcat politike shqiptare nuk kanë arritur të zgjidhin ngërçin politik, duke theksuar se në këtë mënyrë pengojnë edhe aspiratat evropiane. PE thekson se zgjidhja e ngërçit duhet të vijë në përputhje me ligjin dhe në respekt me kushtetutën. Daul dhe Shulz i kërkojnë qeverisë e opozitës të gjejnë zgjidhje të përbashkët për krizën, pasi sipas tyre të dyja palët janë të vetëdijshme që moszgjidhja e krizës pengon integrimin e shqiptarëve. “Zgjidhja e ngërçit, të bëhet në respekt të plotë me kushtetutën dhe ligjet në fuqi të vendit. I kërkojmë opozitës të vazhdojë punën brenda parlamentit. Qeveria të punojë me opozitën për reformën e sistemit zgjedhor dhe procedurat parlamentare. Në këtë kontekst, ne shpresojmë që udhëheqja politike shqiptare, e kupton mirë se tejkalimi i kundërshtimeve aktuale politike është vendimtar për ecurinë e integrimit evropian të vendit dhe për promovimin e aspiratave evropiane të qytetarëve shqiptarë”- theksohet në deklaratë. Ata vërejnë më tej se “shprehim keqardhje që qeveria shqiptare dhe opozita nuk mund të kapërcejnë mosmarrëveshjet e tyre, duke mos qenë në gjendje të ndërmarrin hapa të mëtejshme drejt përmbushjes së ambicieve evropiane të vendit”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›