Vrasja e shpresës - refleksione për mineriadat
Në 20-vjetorin e mineriadave të Bukureshtit
Nga prof.Vladimir Tismaneanu
Kryetari Shkencor i IICCMER (Instituti i Hetimeve të Krimeve të Komunizmit dhe Memories së Ekzilit Rumun)
I jemi kthyer gjithmonë, në këto ditë dhe muaj, pyetjes: janë mineriadat një manifestim i dhunës politike? Si mund të interpretohen ato, në retrospektivë, pas njëzet vjet tranzicioni të vështirë nga totalitarizmi drejt lirisë? Së pari do të vija re se ngjarjet e prill-qershorit 1990 ishin parashikuar qysh nga sulmet "proletare" që e patën zanafillën në muajin janar, me një propagandë kundër atyre që kanë kërkuar plotësimin e idealeve të Revolucionit antikomunist. U hodhën parulla atëhere dhe refrene kolektiviste: "Ne punojmë / Ne nuk mendojmë". Pas asgjësimit të elitës kulturore në burgjet staliniste të Rumanisë në vitet 50-60, u kthye në sipërfaqe të shoqërisë një antiintelektualizëm jonormal. Po në atë kohë, qytetarët e Timishoarës dhe Bukureshtit kërkuan të kundërshtonin obskurantizmin. Ajri i freskët i lirisë kaloi nëpër sheshin e Universitetit, i cili u deklarua "zonë e lirë nga neo-komunizmi". Shumë shpresonin se po mbaronte, më në fund, ajo që Marin Preda do ta quante "epoka e maskarenjve". Disa syresh besonin se do të mbaronte, gjithashtu duke bërë thirrjen e famshme “Thirrje drejtuar lakejve”, shkruar nga Gabriel Liiceanu.
Pastaj erdhi vrasja e shpresës.
është thelbësore për të kuptuar se si minatorët janë pjesë e trashëgimisë së regjimit komunist. Menjëherë pas rënies së diktatorit Nikolae çaushesku, Rumania ka zhvilluar një tip veprimi politik spontan të rremë, në fakt, të organizuar dhe të drejtuar nga lart, me qëllim për të trembur opozitën demokratike dhe neutralizimin e shoqërisë civile.
Gjithashtu në Rumani ishte shkaktuar më herët se në shtetet e tjera post-komuniste hedhja baltë ndaj disidentëve dhe intelektualëve që refuzuan nënshtrimin nga pushtetit të "ri". Restaurimi rumun që kaloi deri te mineriadat nuk ka qenë i kadifejtë. Unë nuk di që dukuri të ngjashme të kenë ndodhur (me një amplitudë, madhësi, intensitet dhe efekte të ngjashme) në vendet e tjera në rajon. Në gazetën "Azi", zv/kryeredaktori, shkruan në një artikull që GDS quhej “kolona e pestë më katastrofikja që ka vepruar ndonjëherë në Rumani”.
Një dëshmi personale/Mbërrita në Bukuresht, nëse më kujtohet saktë, më 8 qershor, 1990. Përmes shtypit ndërkombëtar dija gjithë evolucionin politik në vend. Njihja taktikat elektorale të FSN (Frontit të Shpëtimit Kombëtar) dhe kontekstin në të cilin Ion Iliesku kishte arritur një fitore dërrmuese. Më kujtohet sllogani i tmerrshëm i qershorit të 1990, "Ilieskun e duam / E votojmë gjithë vitin / Që të vdesin nga pikëllimi / Ratiu dhe Campeanu.
Me të mbërritur në kryeqytet, munda të shoh zonën transformuar, të lirë të neo-komunizmit, në sheshin e Universitetit, shumë më pak të populluar, por ende me gjurmë nga protesta e grevistëve të urisë. Më 13 qershor, pashë ndërhyrjen brutale të policisë dhe batalionet "proletare" në veprim: me frikë dhe tmerr, pamë se si studentët ishin të keqtrajtuar, si njerëz të pafajshëm ishin rrahur pa mëshirë, si kalimtarët përfundonin me kafka të thyera. U kalua në përdorimin e dhunës, u rrahën dhe u vranë njerëz absolutisht të pafajshëm (siç ndodhi me një mikun tim të mirë, me gazetarin amerikan William McPherson, i cili ka shkruar disa vjet më vonë tekstin e jashtëzakonshëm “What Went Wrong?” që u botua në revistën "Granta" ). Ashtu siç shkruante Monika Lovinescu, mineriadat ishin shprehje cinike e nomenklaturës dhe taktika e vëllavrasjes. E quajta atëherë "paradoksi rumun" (në një intervistë me Raluka Barak që u botua në “Revistën 22” dhe pastaj e përfshiva në librin "Gijotinë e hirit").
çdo natë, shikoja shfaqjen groteske të një televizioni të nënshtuar, të specializuar në gënjeshtra dhe mashtrime të ulëta. Mbaj mend saktësisht kur Razvan Teodoresku, drejtori i TVR pohonte se demonstratat e protestës kundër dëbimit të dhunshëm nga sheshi i Universitetit me urdhrin e ekipit Iliescu-Roman (Ion Iliescu-Peter Roman) do të paraqiste “një rebelim të tipit legjionar”.
U ktheva në Amerikë, kam shkruar për këto ngjarje të tmerrshme. Revistat si “The New Republic” ose “Christian Science Monitor” m’i besuan mua komentet si dëshmitar të parë, dhe pastaj si politolog. Mendoj, se pas njëzet viteve, shumë dëshmitarë kanë të drejtë për të folur, pa gjurmë droje, pa asnjë hezitim, pa pasur frikë nga ndonjë ndëshkim i mundshëm. Një shoqëri që injoron të kaluarën e saj nuk mund të ndërtojë një të ardhme.
Domethënia politike/Mineriadat kërkuan të godasin shoqërinë civile me anë të forcës brutele të rrahjes dhe të shkopit të gomës. Ashtu si 1989 nga Europa Qendrore, Rumania priti në pranverën e vitit 1990 manifestime qytetare jo të dhunshme, duke bërë thirrje për dialog social dhe politik të bazuar në të vërtetën. Në Timishoara dhe Bukuresht, në fakt zgjerohej fryma e revolucionit kadife si ai i Pragës, me liderë të jashtëzakonshëm si Vaclav Havel. Aspiratat e shoqërisë civile u ndeshën me një mur. Pasues i regjimit çausheskut dhe uzurpues i revolucionit rumun, Ion Iliesku u përpoq ta mbajë në mënyrë të dhunshme pushtetin ekzekutiv të një nomenklature të dhunshme e të etur për hakmarrje. Shumë pak nga disidentët patën një fjalë për të thënë më 1990. Shoqëria civile (shoqata të pavarura, Lidhja e Studentëve etj) duhej të sulmoheshin, të gjunjëzoheshin.
çfarë mbeti?/Në njëzet vitet shumë gjëra ndryshojnë: biografitë pësojnë ndryshime, argumente të errëta dalin nga arkivat, miqësi lidhen dhe zgjidhen ... Pavarësisht nga këto gjëra, jam i nderuar dhe i kënaqur që gjithë kësaj kohe, kam mbetur solidar me "Revistën 22". Me Mircea Mihăieş-in jam takuar më 10 qershor 1990. Ishte në Shtëpinë e Shkrimtarëve në prani të Mirçea Dinesku-t, Andrei Plesu-t dhe Gabriel Liiceanu-t. Revista "Horizont" kishte publikuar një dialog midis N. Manolescu-t dhe meje. Intelektualët janë, ndoshta si në çdo vllaznim tjetër, të tunduar për përçarje. Por unë besoj se ku ka sinqeritet, mirëbesim, dhe të sundojë nderi, miqësisë dhe idealet mbeten. Vlerat e përbashkëta verifikohen në kohë, mbeten mbi lojën e fjalëve. Mund të them, pra, se përpjekjet traumatike që vuajti Rumania në vitet 1990 na çuan jo vetëm në trishtim, zhgënjim dhe vuajtje. U lidhën në këto vite miqësi të reja, korrespondenca, dialogje të thella. Miqësitë që kanë merituar emrin e tyre dhe kanë rezistuar, pavarësisht nga defektet dhe të metat e një vendi të konfrontuar me paradokset e demokracisë.