Parlamenti Evropian, Kukan: Përshtypjet tona janë se procesi po vijon me korrektësi
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Eduard Kukan, ka lëvizur nga një qendër votimi në tjetrën, për të monitoruar vetë nga afër si po shkon procesi i votimit. I dërguari i posaçëm i Parlamentit Europian ka mbërritur në Tiranë dje pikërisht për të vëzhguar zgjedhjet për tu larguar nesër drejt Brukselit ku dhe do të raportojë mbi atë çka ndodhi në Shqipëri më 8 maj. “Jam këtu që të vëzhgoj zgjedhjet. Dëshirojmë të ketë sa më shumë pjesëmarrje në votime dhe më pas do t’i përcjell kolegëve të mi në Parlamentin Evropian atmosferën e këtyre zgjedhjeve”- u shpreh Kukan. Ai deklaroi se Bashkimi Evropian pret që tabloja e këtyre zgjedhjeve të jetë sa më reale. Komentet e tij, Kukan i ka bërë nga një qendër votimi në njësinë bashkiake numër 2 ku së bashku me delegacionin që e shoqëron kishte vajtur për të monitoruar procesin e votimit. “Edhe dje kemi pasur një serë takimesh dhe sot kemi qenë në disa qendra votimi. Përshtypjet janë të mira gjithsesi nuk mund të arijmë konkluzionet për të gjithë shqipërinë sepse kemi vizituar vetem ca”- vazhdoi Kukan “Dua të theksoj rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për institucionet Europiane të cilat presin që këto zgjedhje të jenë të drejta të lira e demokratike”- nënvizoi Kukan.