E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE/ODIHR: Vëzhguesit tanë do monitorojnë procesin - raporti të martën

09-05-2011 / Gazeta 55

Drejtori i OSBE/ODIHR-it, Janez Lenarçiç, i cili ka mbërritur në Tiranë për të vëzhguar nga afër procesin e votimit, zhvilloi dje një takim me zv/kryeministri dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto në mjediset e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në një prononcim për mediat, Lenarçiç u shpreh se këto zgjedhje janë mjaft të rëndësishme. “Jemi koshient për rëndësinë e këtij procesi zgjedhor, prandaj jemi këtu të shumtë në numër. Kemi rreth 300 vëzhgues dhe bashkëpunëtorë në të gjithë vendin, të cilët vijnë si një plus për ekipin që ndodhet tashmë në një periudhë afatgjatë në Shqipëri, i cili është i ndarë në ekipin specialist dhe vëzhguesit afatgjatë”. Kjo është deklarata e drejtorit të OSBE/ODHIR, Janez Lenarçiç, e bërë dje paradite. Drejtori i OSBE/ODHIR i cili ka mbërritur në Tiranë për të vëzhguar nga afër procesin e votimit, fillimisht zhvilloi një takim me zv/kryeministri dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto në mjediset e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ai paralajmëroi se të martën do të dalë deklarata paraprake për këtë proces zgjedhor. “I kemi kushtuar shumë vëmendje vëzhgimit të procesit deri në këto momente. Koordinimi akoma nuk është përqendruar në fazat në vazhdim, të cilat do të jenë votimi, numërimi dhe publikimi i rezultateve. Të martën do të paraqesim për publikun të dhënat paraprake dhe deklaratën paraprake për procesin e votimit”- tha më tej, Lenarçiç. Sipas tij, “qëllimi i këtij vlerësimi nuk është që të japim një gjykim”. “Qëllimi është që të japim një vlerësim objektiv të këtij procesi, në mënyrë që të punohet me rekomandimet e këtij komisioni në të ardhmen, në mënyrë që procesi elektoral në këtë vend të përmirësohet akoma më tepër. Ne kërkojmë që t’i japim edhe një sens ambicieve të Shqipërisë”- vuri në dukje drejtori i OSBE/ODIHR, Lenarçiç.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›