E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti debat për vizat

Pozita dhe opozita u përfshinë nga debatet në Parlament, një ditë pas miratimit të rezolutës për Shqipërinë, nga Parlamenti Europian. Përcaktimi në këtë dokument, pro liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë, sipas kryetares së Parlamentit duhet të përshëndetej nga opozita.

"Gjëja më normale që të paktën sot ta përshëndesni dhe pse keni humbur shansin që përnjë vit rresht të keni kontribuar për këtë ditë", tha Topalli. "Dhe për të mos ia prishur kryetares së Kuvendit, po zonja kryetare, ne e përshëndesim vendimin", u shpreh Vangjel Dule, kreu i PBDNJ. "Nuk eshte për një pjesë të qytetarëve, është për të gjithë shqiptarët", u pergjigje Topalli.

Deputetet socialistë u ndalen tek ajo pjesë e rezolutës që kërkon zgjidhje të situatës politike. Ata theksuan se opozita nuk do të bashkëpunojë për reformën zgjedhore pa u hapur kutitë e 28 qershorit.

"Reforme zgjedhore pa transparencë mbi zgjedhjet, nuk mund të bëhet. Prandaj ju bëjmë thirrje përsëri hapni kutitë, lironi vizat, shpëtoni ekonominë", u shpreh Namik Dokle. "Kredibiliteti i vendit është në dyshim, aftësia e klasës politike është në pikëpyetje përpara Bashkimit Europian, drejt të cilit ne duam të shkojmë. Mos neglizhoni ofertën tonë dhe mos harroni se në një sistem demokratik dhe pluralizëm nuk mund të jetë pozitë pa opozitë", tha Eduard Shalsi.

Ministria Majlinda Bregu tha se opozita po punon kundër integrimit të vendit. "Ne jemi dhe nuk mund te mos jemi të shqetësuar për rrugën pa krye, dhe atë energji të humbur që lideri juaj i opozitës po tenton të përcojë cdo ditë duke e përcjell opozitën në qorrsokake. E rëndësishme është për të gjithë ne që shumica e shqiptarëve, PE, KE, KiE, të gjithë bëjnë thirrje për të ecur para perëndimit. Ato pak zëra që duan të na kthejnë prapa, dhe të mbajnë peng të ardhmen e këtij vendi do të mbyllen përfundimisht në kutitë e zeza të aksidentit që absolutisht do ti rrëzojë nga politika shumë shpejt", deklaroi Bregu.

Jo vetëm zonja Bregu por edhe përfaqësues të tjerë të qeverisë, kanë shprehur bindjen se hejqa e vizave për qytetarët shqiptarë do të ndodh këtë vjeshtë.

Taulanta Boja < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›