E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti francez entuziast për sukseset e Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit takon Presidenten e grupit të miqësisë Francë-Shqipëri të Asamblesë Kombëtare të Francës

  Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli priti sot në takim Presidenten e grupit të miqësisë Francë-Shqipëri të Asamblesë Kombëtare të Francës, Genevieve Colot.   Deputeteja franceze Colot shprehu kënaqësinë e saj se Asambleja Kombëtare e Francës ratifikoi MSA-në Shqipëri-BE me nje unanimitet të plotë dhe me konsensusin e të gjitha grupeve parlamentare gjë që, sië u shpreh ajo, është e rrallë për këtë asamble.   Ajo e njohu Kryetaren e Kuvendit me diskutimet e bëra në ditën e ratifikimit, duke nënvizuar faktin se të gjithë deputetët e grupeve të ndryshme parlamentare që e morën fjalën në seancë u shprehën entuziastë për sukseset dhe arritjet e Qeverisë së Shqipërisë.   Zonja Colot tha se kjo gjë e motivon atë dhe deputetët e tjerë të grupit të miqësisë Francë-Shqipëri për të nxitur përshpejtimin e ratifikimit të Protokollit të NATO-s nga Asambleja Kombëtare e Francës.   Kryetarja e Kuvendit nënvizoi faktin se Franca ka qenë gjithmonë një mbështetëse kryesore e Shqipërisë, jo vetëm në rrugën e saj drejt BE-së dhe NATO-s por edhe në zhvillimin e brendshëm të vendit.
Biseda u fokusua edhe në rritjen e bashkëpunimit mes dy parlamenteve, bashkëpunim që ka njohur një rritje kohët e fundit me vizita të nivelit të lartë por edhe mes grupeve të deputetëve  dhe komisioneve parlamentare.   Zonja Genevieve Colot ndodhet në Shqipëri për të marrë pjesë në Seminarin e nivelit të lartë rajonal Roli i  parlamentarëve për parandalimin dhe reagimin ndaj shfrytëzimit të fëmijëve dhe adoleshentëve, I cili nis punimet nesër në Tiranë.   Seminari i organizuar nga nga Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me IPU-në dhe UNICEF-in do të ketë të ftuar përfaqësues të lartë të parlamanteve europiane dhe botërore.
   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›