E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti grek miraton paketen e kursimeve protesta ne Athine

Parlamenti grek miratoi me 155 vota pro paketën e re të kursimeve të paraqitur nga Qeveria e Papandreut, duke arritur kështu të plotësojë kushtin europian për marrjen e ndihmës 12 miliardëshe më 3 korrik. Paketa përbën votimin e parë ndërsa të enjten pritet të miratohet edhe ligji i detajuar i shkurtimeve dhe privatizimeve në pesë vitet në vazhdim. Në total, nga 298 deputetë të pranishëm, 155 votuan pro, 138 votuan kundër dhe pesë deputetë abstenuan. Kreu i parlamentit grek, Filipos Pesalnikos njoftoi rezultatin dhe miratimin e planit afatmesëm 2012-2015.

Ndërkaq, votimi është pritur me interes të madh jo vetëm nga grekët, shumica e të cilëve janë kundër paketës dhe këtë e kanë treguar me protesta massive para parlamentit, por edhe nga komuniteti ndërkombëtar, për të cilin një dështim i financave greke do të thotë vështirësi serioze për eurozonën. Në rast mosmiratimi, Greqia rrezikonte falimentimin, rrezik që ende nuk ka kaluar për këtë shtet, që përballet me vite të vështira masash drastike kursimi.  

Por, ndërkohë, në vend është në fuqi greva 48 orëshe e shpallur nga sindikatat ndërsa përleshje të dhunshme vazhdojnë në rrugët e Athinës. Të indinjuarit u mblodhën para parlamentit, i cili ishte rrethuar nga forca të shumta policie ër të lejuar kalimin e deputëteve. Para votimit, Papandreu kërkoi kalimin e paketës me konsesus, për vetë rëndësinë e saj në të ardhmen. Kryeministri i druhej një votimi kundër të partisë së tij PASOK, pasi disa deputetë të saj kishin deklaruar se do të votonin kundër, por vetëm njëri prej e tyre e ndërmoi këtë hap.
 
Zyrtarët më të lartë europianë kanë mirëpritur votimin. Presidenti i Komisionit Europian, Hose Emanuel Barrozo tha se vendi ka marrë një hap të rëndësishëm. Por, gjithsesi, mes tensionit të lartë në Greqi, ky votim nuk i jep fund dramës greke, edhe pse Europa nis më 3 korrik finalizimin e një pakete të re shpëtimi me vlerë 120 miliardë euro që do ta ndihmojë Greqinë të paguajë borxhet e veta deri më 2014.

Juli Prifti
Azhornuar së fundi ( e mërkurë , 29 qershor 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›