E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasja me armë në Dibër, kandidatët akuzojnë njëri-tjetrin

DIBËR Bajram Himallari, kryetar i komunës Kala e Dodës, njëkohësisht kandidat për kryetar komune në këtë njësi si përfaqësues i Partisë Socialiste, dhe kandidati i Partisë Demokratike, Bujar Mahmutaj, kanë bërë deklarata të ndryshme në polici për incidentin e së shtunës në mesditë. Në dëshmitë e dhëna për oficerët e policisë gjyqësore, Himallari e Mahmutaj janë përpjekur të fajësojnë njëri-tjetrin për përplasjen me armë. Burime pranë Komisariatit të Policisë, Peshkopi, thanë për gazetën “Mapo” se rreth orës 14:00, efektivat e policisë janë njoftuar për një përplasje me armë mes dy kandidatëve për kryetar komune. “Në sallën operative ka telefonuar kryetari i komunës, Bajram Himallari dhe ka kërkuar ndihmën e policisë për të arrestuar Bujar Mahmutajn, që, sipas tij, ai e kishte bllokuar me një pistoletë” - thanë burime pranë policisë. Policia ka mbërritur shpejt në vendin e ngjarjes, por atje nuk ka gjetur asnjë person. “Të gjithë kishin ikur nga vendi i ngjarjes dhe jemi detyruar t’u telefonojnë, që të paraqiten në polici për të dëshmuar rreth incidentit të rëndë” - shtuan të njëjtat burime. Kryetari i komunës Himallari është shprehur se rreth orës 10:00, ai së bashku me një të afërmin e tij po udhëtonte drejt fshatit të lindjes, Radomirë. “Po udhëtoja drejt qendrës së komunës dhe përpara kisha një mjet tjetër. I kërkova të parakaloja. Kam udhëtuar më shumë se dy kilometra dhe rruga nuk po më hapej. Gjeta një hapësirë dhe e parakalova makinën. Zbrita nga makina ime dhe desha të sqarohem me personat që më pengonin udhëtimin. Nga dera e pasme e makinës del kryetari i PD-së të komunës, Kala e Dodës, që më fyen rëndë dhe tenton të më godasë me gurë. Më pastaj del edhe kandidati i PD-së për kryetar komune, Bujar Mahmutaj, me një pistoletë në dorë. Unë nxora nga brezi armën që mbaja pa leje dhe gjatë nxitimit kam shkrehur pa dashje një plumb” - tha Bajram Himallari. Ndërkaq kandidati i PD-së, Bujar Mahmutaj ka dhënë tjetër version për ngjarjen. Sipas tij, ai dhe anëtarët e shtabit elektoral të fushatës janë provokuar gjatë gjithë rrugës nga kryetari i komunës. “Unë nuk kam pasur armë me vete. Nuk kam mbajtur kurrë. Ne jemi kërcënuar nga Himallari. Nuk është e vërtetë që arma i është shkrehur pa dashje, por kanë ndërhyrë personat e ndodhur aty për të qetësuar situatën. Himallari është një person problematik. Ai është arrestuar vitin e kaluar për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve zyrtarë, madje është pushuar nga qeveria si kryetar komune, por është rikthyer në detyrë nga Gjykata Kushtetuese” - u shpreh Mahmutaj. Kandidatët dhe forcat politike në garë kanë kërkuar qetësimin e situatës dhe zhvillimin e një fushate normale.

P.H.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›