E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti i ri per projektin vendos KRRTRSH

Godina e re e parlamentit shqiptar është një hap më pranë ndërtimit. Deputetët në Komisionin e Ligjeve miratuan draftin i cili rregullon procedurat e tenderimit, lejeve dhe përcakton oraganet kompetente që do të mundësojnë ndërtimin e kompleksit të ri palrlamentar. Sipas draftit të miratuar mënjanohet KRT-ja e bashkisë dhe mandatohet ekskluzivisht Këshilli i Rregullimit të Territorit në republikën e Shqipërisë , të japë lejet për sheshin dhe ndërtimin.

“Janë përcaktuar të depozitohen në KRRTRSH, bazuar dhe në harmoni dhe respect të plotë dhe të vendimit numër 29 të vitit 2006 të Gjykatës Kushtetuese. KRRTRSH -ja jo vetëm miraton studime urbanistike rajonale, por ka të drejtë të përcaktojë edhe lejen e sheshit të ndërtimit apo lejen e ndërtimit për objekte me rëndësi të veçantë, saktësisht dhe individualisht të përcaktuara”- tha Enkeled Alibeaj, deputet iniciator i projektit.

Inspektoriati Ndërtimor Kombëtar Urbanistik do të shembë piramidën, por në ligj nuk përcaktohet një kohë kur do ta bëjë këtë. Firmat që do kryejnë punimet do të zgjidhen me tender elektronik.

“Nisur edhe nga nevoja që do të duhet sëbashku me ndërtimin e kompleksit, por edhe të eleminojmë një lloj legjende urbane, një lloj psikoze që pozita gjeografike, aty ku do të ndërtohet kompleksi, mbart me vete, unë besoj se nuk ka çmim i cili do të na duhet të bëhet pengesë për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar”-  tha Alibeaj.

Qeveria shqiptare po negocion me arabinë saudite për të siguruar grantin prej 100 milion eurosh , sa mendohet të jetë dhe kosto paraprake e kompleksit parlamentar .

Godina e re do të ndërtohet mbi piramidën dhe do të jetë gati në 28 nëntor 2012.

Elona Gjylmi
Azhornuar së fundi ( e martë , 12 korrik 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›