Europa sytë nga Kina për borxhet, Guvernatori kinez vjen në Shqipëri
Kina fokuson vëmendjen e saj në Shqipëri. Ndërsa kriza greke po tërheq vëmendjen jo vetëm të vetë zonës Euro, por të gjithë botës, përfshirë SHBA-të dhe zonën aziatike, ku Kina pritet të blejë borxhin sovran grek që po e zhyt atë në faliment, përfaqësues të lartë të Republikës Popullore Kineze i kushtojnë interes zhvillimeve ekonomike shqiptare. Me ftesë të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, erdhi dje në një vizitë zyrtare guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës Popullore të Kinës, Zhou Xiaochuan. Kjo është një vizitë e nivelit të lartë, e cila shënohet për herë të parë në vendin tonë, pasi z. Zhou Xiaochuan drejton një institucion me peshë në Republikën Popullore të Kinës. Kjo vizitë e këtij niveli, pas vizitave të tjera të nivelit më të ulët me qëllim investimet kineze në vendin tonë, tregon interesimin në rritje të Republikës së Kinës me një zhvillim të lartë ekonomik drejt ekonomisë sonë. Ndërsa Kina konsiderohet ndër gjigantët emergjentë globalë të vendeve Briks, ku përfshihet Brazili, Rusia, India dhe Afrika e Jugut, të cilët po diskutojnë që javën e ardhshme të mblidhen për një mundësi për të ndihmuar Bashkimin Europian mbi krizën e borxheve, ajo hedh vëmendjen e plotë për të investuar në Shqipëri. Vendet Briks po studiojnë një veprim të shpejtë për të ndihmuar vendet në qendër të krizës së borxheve sovrane dhe po konsiderojnë hipotezën të rrisin ekspozimin e tyre ndaj obligacioneve europiane. Vendimi do të merret në takimin e 22 shtatorit në Washington, ku do të marrin pjesë ministrat e Financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të vendeve Briks, takim në të cilin do të marrë pjesë edhe guvernatori Zhou. Ndërkohë që borxhet e BE-së përbëjnë shqetësim për ekonominë botërore, ekonomia shqiptare që i ka shpëtuar krizës globale mbetet në vëmendje, tanimë edhe në fokus të Kinës, e cila deklaron se do të shtojë investimet e saj në vendin tonë. Gjatë takimit dypalësh me guvernatorin Fullani, diskutimet u fokusuan në zhvillimet ekonomike, ku guvernatori i BSH-së e njohu guvernatorin Zhou me ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe veçanërisht me atë të sistemit bankar. Guvernatori Fullani paraqiti masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për një mbikëqyrje të kujdesshme të sistemit bankar, si dhe bëri një përshkrim të kuadrit të politikës monetare në Shqipëri. Gjithashtu, ai vuri dukje politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës Popullore të Kinës dje takoi edhe kryeministrin e vendit, Sali Berisha. “Volumet tregtare ndërmjet vendeve tona duhet të rriten më tej, ashtu si edhe prezenca e investitorëve kinezë apo edhe financimi i projekteve të infrastrukturës duhet të intensifikohet, “- u shpreh guvernatori Zhou. “Shqipëria, me ritmet e fundit të zhvillimit të saj ekonomik dhe stabilitetit makroekonomik e monetar, në kohë krize financiare, inkurajon investitorët kinezë për të qenë pjesë e këtyre zhvillimeve të suksesshme,” theksoi Kryeministri. Ai u shpreh se Shqipëria ofron mundësi të shumëllojshme investimesh në fusha të ndryshme të ekonomisë si: në infrastrukturën rrugore, detare, energjetike, apo edhe bankare. Guvernatori Zhou shprehu interes në fuqizimin e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në kohë të vështira të tregjeve financiare, për të parandaluar impaktet negative në ekonomitë kombëtare. Gjithashtu, Zhou shprehu qëndrimin e tij për gjetjen e mekanizmave të rinj financiarë, për të mundësuar likuiditetet e nevojshme, apo financimin e investimeve në ekonomitë e vendeve në zhvillim.