Parlamenti shqiptar voton ligjin për hetimin e "trafikimit të organeve"

Dick Marty i referohet periudhës 1998-1999, duke pretenduar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, gjatë periudhës së konfliktit, ka mbajtur brenda territorit të Shqipërisë civilë me kombësi serbe, të cilëve pas vrasjes u janë tregtuar organet.
Përpara votimit, deputeti demokrat Viktor Gumi, në cilësinë e raportuesit të projektligjit në Kuvend, tha se drafti i propozuar në qeveri ka aprovimin e të gjithë aktoreve, përfshirë këtu dhe ata politikë, duke paralajmëruar kështu miratimin unanim të tij.
Projektligji për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me Task Forcën hetimore speciale të EULEX-it, u fut me procedurë të përshpejtuar në agjendën e punimeve të Kuvendit, një javë prej miratimit të tij në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
Qeveria shqiptare dhe aktorët politikë të të dyja krahëve janë shprehur të hapur për hetim ndërkombëtar, ndonëse janë të bindur në pavërtetësinë e këtyre akuzave.
Në deklarimin e tij gjatë prezantimit të këtij ligji, kryeministri shqiptar, Sali Berisha pati thënë se "zoti Marty është i njohur për qëndrimet e tij antishqiptare", dhe se "kjo frymë është paraqitur edhe në raportin e tij", që sipas zotit Berisha, nuk mbështetet në asnjë fakt.
Megjithatë, kryeministri shqiptar ka paralajmëruar se "kjo nuk do të pengojë autoritetet shqiptare të tregohen të hapura ndaj hetimit ndërkombëtar, në mënyrë që të dalë e vërteta". /rel/