E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falcao, tigër me sy për gol

Derisa statistikat e jashtëzakonshme të golave nga Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo kanë zgjuar vëmendjen kryesore te tifozët e futbollit këtë sezon, një tjetër yll ka qenë i zënë duke krijuar kuota mbresëlënëse për vete.

Futbollisti në fjalë nuk është askush tjetër përveç Radamel Falcao, sulmuesi kolumbian i Atletico Madridit, i cili përforcoi epitetin e tij në Evropë të mërkurën duke shënuar dy herë në fitoren 3-0 ndaj Athletic Bilbaos në finalen e Europa League në Bukuresht. Falcao e përfundoi garën si golashënuesi më i mirë me 12 gola.

“Radamel zhvilloi një ndeshje të jashtëzakonshme, ai ishte perfekt”, tha trajneri i Atleticos, Diego Simeone. “Ai vërtet na udhëhoqi drejt fitores. Para ndeshjes kam kërkuar prej tij që t’i lë anash arritjet e deritashme dhe e bëri pikërisht këtë. Do të jetë vështirë ta mbajmë për sezonin e ardhshëm”, shtoi ai.

“Shënimi i golave është në gjakun tij, ai erdhi në Atletico për ta bërë në skenë më të madhe”, u shpreh bashkëlojtari Juanfran. Për dallim nga kolegët e tij, sulmuesi nga Amerika e Jugut bëri të qartë modestinë e tij.

“Nuk është se çdo futbollist kalon kësi përvoje. Nuk mund të jem më i lumtur, dua që këtë fitore t’ia kushtoj Zotit, familjes time, nënës, motrës dhe të gjithë tifozëve të Atletico Madridit”, tha Falcao.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›