E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Parlamenti të vendosë për ndarjen e mandateve - KQZ-ja e ka konsumuar këtë kompetencë”

16-01-2013 / Gazeta 55

Ndarja e mandateve, flet Oerd Bylykbashi, shefi i kabinetit të kryeministrit, ekspert i PD-së për zgjedhjet

Parlamenti ka kompetencën e vërtetë për të vendosur shpërndarjen e re të mandateve për zgjedhjet e 2013, kurse Komisioni Qendror i  Zgjedhjeve, vetëm sa bën një llogaritje matematikore.
Kështu  shprehet shefi i kabinetit të kryeministrit, ekspert i PD-së për zgjedhjet, Oerd Bylykbashi, duke hedhur poshtë pretendimet e të majtëve që çështja e mandateve duhet të zgjidhet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. “Aspektet procedurale të pjesës së KQZ-së janë kryer e përmbyllur. KQZ nuk ka më asnjë kompetencë tjetër në këtë fazë dhe mbetet pjesa tjetër që është më e rëndësishme, kompetenca e Kuvendit. Sot të gjithë, duke filluar që nga KQZ, duhet ti japin mundësi Kuvendit të ushtrojë sovranitetin e tij”, deklaron Bylykbashi.
Ai tha se është Parlamenti që vendos nëse do të lërë në fuqi skemën e 2009-s, apo një të re. “Në çështjen e ndarjes së mandateve KQZ ka dy vendime deri më sot, një të 2009-ës dhe një të 2012-ës. Ky i fundit është pa efekte juridike sepse nuk ka prodhuar rezultat. Kuvendi do të ketë të gjithë urtësinë e nevojshme për ta shqyrtuar me kujdes, në përputhje me Kushtetutën, parimet, standartet ndërkombëtare, Kodin Zgjedhor dhe procedurat e tij këtë çështje. Ajo që është më e rëndësishme është që Kuvendi ta ushtrojë, pra të mos pengohet qoftë nga një parti politike qoftë nga dy apo tri anëtarë të KQZ-së, pra nga askush. Kompetenca është e Kuvendi, sovraniteti është i tij dhe çdo gjë tjetër do të ishte një atentat i rëndë ndaj Kushtetutës”, shprehet eksperti i PD-së për zgjedhjet.
Oerd Bylykbashi i cilëson të papranueshme sulmet e opozitës ndaj Kushtetutës. “Jemi përpara një sulmi arrogant, të paprecedentë ndaj Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor. Sigurisht me pasoja ose jo në lidhje me përgatitjet zgjedhore por sistemet do të funksionojnë dhe do të japin përgjigje dhe ndaj këtij sulmi”, shprehet Bylykbashi.
Ai cilësoi absurde veprimet e opozitës edhe për rastin e zonave të administrimit zgjedhorë, ndërsa u shpreh se shqetësimi i të majtëve nuk janë standardet por paniku që i ka zënë për humbjen e zgjedhjeve.
Reagimi i Oerd Bylykbashit erdhi pas mbledhjes së djeshme të  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në seancën e djeshme, gjatë së cilës dy anëtarëve Denar Biba dhe Albana Shtylla kërkuan procedim disiplinor ndaj Sekretares së Përgjithshme të institucionit, Aliona Mancaku, që e adresoi çështjen e mandateve në dyert e Kuvendit. Sipas tyre, përveç se e paautorizuar për një veprim të tillë, i cili duhej të kryhej vetëm pas firmës së kryetares dhe nënkryetarit të KQZ-së, Mancaku ka kryer një tjetër shkelje ligjore duke i bashkangjitur shkresës dhe skemën e ndarjes së mandateve të 2009-ës.
Një kërkesë e tillë nuk është pranuar nga kryetarja e KQZ-së Lefteri Lleshi, e cila ka akuzuar Bibën se është shndërruar në zëdhënës të KQZ dhe orientues të gazetarëve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›