“PS-ja interesohet në KQZ për partinë e Bamir Topit”
KQZ miraton vendimin për shpërndarjen e fondeve të partive
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton vendimin për shpërndarjen e ndihmës financiare vjetore për partitë politike. Ligji “Për buxhetin e vitit 2013”, ka parashikuar një fond prej 200 milionë lekësh si mbështetje financiare për partitë politike për vitin 2013.
Sipas kritereve të shpërndarjes së këtij fondi 70 për qind e tij ndahet sipas numrit të deputetëve të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare, 20 për qind ndahet në mënyrë të barabartë ndërmjet partive parlamentare, ndërsa 10 për qind shkon për partitë që në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë fituar mbi 1 për qind të votave në shkallë vendi. Kështu në bazë të këtyre kritereve, Partia Demokratike do të marrë mbi 83.5 mln lekë, PS mbi 80.6 mln, LSI rreth 11.7 mln, PDIU rreth 7.7 mln, PBDNJ gati 8 mln, Partia Republikane mbi 8.1 mln dhe Partia Socialdemokrate mbi 352 mijë lekë të reja.
Lidhur me këtë pikë të rendit të ditës, më herët, mbledhja e KQZ-së është shoqëruar me debate e replika të ashpra mes kryetares së KQZ Lefteri Lleshi dhe nënkryetarit, Denar Biba. Replikat kanë përfshirë edhe kërkesën e FRD-së për fond vjetor, administrata e KQZ i është përgjigjur me pretendimin se nga fondi përfitojnë partitë që morën pjesë në zgjedhjet në 2009. Ndërkohë, kryetarja Lefterie Lleshi duke iu përgjigjur kërkesës ironizoi Bibën teksa shtoi se KQZ i ka kthyer përgjigje me shkrim FRD-së, por sipas saj partia në fjalë ka probleme me interpretimin e ligjit. “Si duket FRD është ankuar tek Biba. Nuk ka asgjë të keqe, ironizoi Kryetarja Lleshi teksa shtoi se, KQZ është shprehur me një përgjigje pas deklaratës së partisë në fjalë”.
Në mbledhjen e ditës së djeshme Komisioni Qendror i zgjedhjeve shqyrtoi dhe vendosi miratimin e modelit të regjistrit të ankimeve zgjedhore për zgjedhjet e 23 qershorit, ku të gjitha ankimet e mundshme të depozituara nga subjektet zgjedhore do të mbahen në një regjistër të posaçëm i cili është i vlefshëm vetëm për zgjedhjet e vitit 2013; miratimin e modelit të kërkesës ankimore për ankimin në rrugë administrative të vendimeve të KZAZ dhe të KQZ, ku në rast të ndonjë ankimi të mundshëm të subjekteve zgjedhore, kërkesa ankimore duhet të plotësohet sipas modelit të miratuar; miratoi ndryshimet në udhëzimin për organizimin dhe funksionimin e zyrave rajonale zgjedhore. Sipas këtij ndryshimi Zyrat Rajonale Zgjedhore në 12 Qarqet e vendit do të ngrihen në njësitë administrative që do të përcaktohen me vendim të KQZ-së.