Parregullsitë anulojnë konkurset në shëndetësi

Pas dështimit për zgjedhjen e drejtorit ekzekutiv të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, puna nuk po ecën mirë as sa i përket zgjedhjes së kryeinspektorit shëndetësor dhe kryeshefit të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale (AKPM).
Derisa konkursi i shpallur për zgjedhjen e kryeinspektorit shëndetësor është anuluar, një fat i ngjashëm pritet të ndodhë edhe me konkursin për kryeshef të AKPM-së.
Sipas drejtuesve të Ministrisë së Shëndetësisë e gjithë kjo po ndodh për shkak të shkeljeve të ligjit dhe ndikimeve politike në përzgjedhjen e kandidatëve të listës së ngushtë.
Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, ka thënë për Kosovapress se ka indikacione për shkelje të parimeve themelore të parapara me Ligjin për Shërbimin Civil dhe mos zbatimin e procedurave të paravlerësimit të kandidatëve nëpërmjet testimit me shkrim dhe testeve tjera të kërkuara.
Agani ka thënë se lidhur me këtë çështje i është drejtuar edhe ministrit të Administratës Publike (MAP), Mahir Jagxhillar, ministria e të cilit ka udhëhequr krejt këto procedura, në mënyrë që të shqyrtohen parregullsitë.
“Ka pasur ankesa serioze në procesin e përzgjedhjes nga kandidatët të cilët kanë qenë mjaft serioz për atë post. Kjo ka bërë që unë t’i drejtohem ministrit të Administratës Publike, z. Jagxhillar, i cili është titullar i institucionit që udhëheq këtë proces, me kërkesën që të shqyrtohet kjo situatë që të shihet se çka është duke ndodhur”, ka thënë Agani.
Ai ka kërkuar nga ministri Jagxhillar, që në rast se vërtetohet për shkelje ligjore me rastin e përzgjedhjes së kryeshefit ekzekutiv të AKPM-së, të anulojë konkursin e publikuar.
Për sa i përket anulimit të konkursit për kryeinspektor shëndetësor, Agani ka thënë se edhe ky konkurs është anuluar për shkak të vërejtjeve të shumta të cilat i ka pasur Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, i cili ka qenë pjesë e procesit.
Agani konstaton se fakti që për 6 muaj të mandatit të tij si ministër ka qenë e pamundur të zgjidhen në procedurë të rregullt tri poste kyçe në këtë sektor, siç është ai i drejtorit të QKUK-së, kryeinspektorit shëndetësor dhe kryeshefit të AKPM-së tregon më së miri se ka vështirësi të theksuara në segmentin e shërbimit civil të ministrisë, të cilat reflektojnë në punën e saj.
Sipas tij përsëritja e këtyre konkurseve është rezultat i interferencave dhe presioneve të ndryshme, të cilat nuk bëhen tek ai personalisht, por në nivele më të ulëta të Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) dhe se këtu qëndron një nga shkaqet kryesore pse shëndetësia ndodhet në gjendjen aktuale.
“Përsëritja e konkurseve një pas një, herë një post e herë në postin tjetër, zvarritja e konkurseve, p.sh. hapet konkursi në muajin prill ndërsa vendoset në muajin gusht, të gjitha këto flasin se ka interferenca, ka presione, ka ndikime të ndryshme të cilat i ndajnë proceset dhe këtu edhe qëndron një nga shkaqet kryesore se pse shëndetësia kosovare është në gjendjen në të cilën gjendet”, ka thënë Agani.
Ndonëse konkursi për zgjedhjen e drejtorit ekzekutiv të QKUK-së dhe ai për zgjedhjen e kryeinspektorit shëndetësor janë nën kompetencën e sekretarit të përgjithshëm të MSH-së Ilir Tolaj, ministri Agani pret reflektim pozitiv nga ana e sekretarit të përgjithshëm në këtë proces.
“Përkundër vështirësive, të cilat edhe ai i ka në funksionimin e tij në atë post, unë mendoj se do t’ia arrijë që të reflektojë pozitivisht në këto procese, përndryshe me të vërtetë do ta kemi vështirë që të japim përgjegjësi”, ka thënë ministri Agani.
Megjithatë, ministri Agani ka përsëritur vendosmërinë që në të gjitha segmentet e sektorit të shëndetësisë të rivendosë sundimin e plotë të ligjit dhe të eliminojë çfarëdo mundësie që si kriter për emërime në pozita drejtuese të jetë vetëm kompetenca e plotë profesionale.
Mësohet se për pozitën e kryeshefit ekzekutiv të AKPM-së fillimisht janë përzgjedhur 9 kandidatë, por vetëm katër nga ta janë ftuar në intervistë. Kandidati i katërt që është ftuar në intervistim, është ushtruesi aktual i detyrës së kryeshefit, Jeton Shala, i cili më pas nga paneli intervistues po ashtu është renditur i katërti në listë, duke mos hyrë kështu as në listën e ngushtë.
Arbenita Pajaziti, Lutfi Mulaku dhe Shkumbin Spahija, të gjithë farmacistë me profesion, janë tre emrat që kanë hyrë në listën e ngushtë në garën për kryeshef të kësaj agjencie. Dy të parët (Pajaziti dhe Mulaku) kanë qenë zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë, kurse i treti (Spahija), është nënkryetar i Shoqatës së Farmacistëve të Kosovës dhe nuk ka qenë pjesë e institucioneve deri më tani.