E Shtunë, 31 Tetor 2026

Part-time: Qeveria miraton 6145 kuota



Çdo nxënës që ka përfunduar shkollën e mesme dhe zotëron dëftesë pjekurie apo diplomë tjetër studimi, të fituar brenda ose jashtë vendit, ekuivalente me të, ka të drejtë të kandidojë për në programet e studimit e ciklit të parë, me kohë të pjesshme, në institucionet publike të arsimit të lartë

Për vitin akademik 2009-2010 janë miratuar 6145 kuota për ciklin e parë të studimeve me kohë të pjesshme dhe të edukimit në distancë në universitetet publike. Të gjitha kuotat e pranimeve të reja për studimet e ciklit të parë do të ndahen në katër pjesë, duke filluar nga studimet me kohë të pjesshme, edukimi në distancë, kuota për transferim studimesh dhe kuota të miratuara për shqiptarët jashtë kufijve e për të shtetasit e huaj.

Kuotat e çdo programi studimi për pranimet e reja ndahen përkatësisht, për programe studimi të ciklit të parë, me kohë të pjesshme dhe për programe të dyta studimi. Ndërsa, kuotat për transferim studimesh do të shpërndahen nga MASH sipas kritereve të përcaktuara nga institucionet publike të arsimit të lartë. Çdo nxënës që ka përfunduar shkollën e mesme dhe zotëron dëftesë pjekurie apo diplomë tjetër studimi, të fituar brenda ose jashtë vendit, ekuivalente me të, ka të drejtë të kandidojë për në programet e studimit e ciklit të parë, me kohë të pjesshme, në institucionet publike të arsimit të lartë. Tarifa e shkollimit për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit dhe shtetasit e huaj, që do të vazhdojnë studimet në një program studimi, me kohë të pjesshme, do të paguajnë të njëjtën tarifë si shtetasit shqiptarë, me përjashtim të rasteve kur me marrëveshje zyrtare, shtetërore, janë përcaktuar mënyra të tjera për tarifat.

Ndërsa, individët që u përkasin shtresave shoqërore si, të verbrit, paraplegjikë e tetraplegjikë, invalidët, kryefamiljaret që janë me fëmijë, kandidatët që marrin asistencë sociale si dhe fëmijët jetimë përjashtohen nga tarifa e shkollimit për studimet në ciklin e parë me kohë të pjesshme. Po ashtu, edhe kategoria e studentëve që janë të shkëlqyer nuk e paguajnë tarifën e shkollimit në vitin pasardhës. Kuotat për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit dhe shtetasit e tjerë të huaj, që do të studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë të Republikës së Shqipërisë, do të administrohen nga MASH-i dhe do të shpërndahen në bazë të marrëveshjeve dypalëshe ose shumëpalëshe, si dhe të kërkesave individuale të këtyre shtetasve. Ndërkohë, kandidatët që dëshirojnë të ndjekin studimet, me kohë të pjesshme, në një program të dytë studimi, e fitojnë këtë të drejtë sipas kritereve të përcaktuara nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë.

Bursa për shkollën e mesme austriake në Shkodër

Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka dhënë 42 bursa studimi për nxënësit e shkollës së mesme profesionale “Peter Mahringer”, në Shkodër për vitin shkollor 2009-2010. Miratimi i këtyre bursave bëhet nga bordi i “Fondacionit Shkollor Austriak”, në mbështetje të kritereve ekonomike dhe të rezultateve të arritura nga secili nxënës. Vlera e bursës është 680 euro për nxënës, në vit, për shlyerjen e tarifës mujore të shkollimit dhe për mbulimin e kostos së teksteve mësimore. Bordi i “Fondacionit Shkollor Austriak”, pas miratimit të bursave, duhet të dërgojë dokumentacionin përkatës në drejtorinë arsimore rajonale, të Shkodrës, e cila pas konfirmimit të nxënësve, që përfitojnë bursë, e derdh vlerën e bursës në llogarinë personale të secilit nxënës. Bursa do të përfitojnë nxënësit e vitit të parë të cilët do të marrin 16, viti i dytë përfiton 12 bursa dhe ai i tretë 14-të.

Studime doktorature

Në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës është hapur programi i studimeve për doktoraturë në “Shkencat ekonomike” dhe tarifa e studimit është 200 mijë lekë. Ministria e Arsimit me miratim të Këshillit të Ministrave miratuan hapjen e studimeve të doktoratës, me kohëzgjatje më shumë se 3 vite dhe për vitin 2009- 2010 kuotat e pranimit janë 30. Dy kuota do të caktohen për kandidatët nga trojet shqiptare jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë. Tarifa e shkollimit është 200 mijë lekë dhe në përfundimin e studimeve lëshohet diplomë e gradës “Doktor në shkencat ekonomike”. Ndërkohë, në Fakultetin e Inxhinierisë, në Tiranë, është hapur programi i studimeve të doktoraturës në “Arkitekturë-Urbanistikë”. Për vitin akademik 2009-2010 është parashikuar se kuotat e pranimit janë 14 nga të cilat dy kuota jepen për kandidatët nga trevat shqip-folëse. Tarifa e shkollimit për programin e studimit “Arkitekturë-Urbanistikë” është 200 mijë lekë. Në fund të studimeve kandidatëve u jepet titulli “Doktor në Arkitekturë-Urbanistikë”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›