Part-time, datat e regjistrimit për Juridikun
Fituesit e rinj të Fakultetit të Drejtësisë në sistemin me kohë të pjesshme duhet të paraqiten sot në sekretarinë e këtij fakulteti për t`u regjistruar, përndryshe humbasin të drejtën e studimit. Universiteti i Tiranës bëri të ditur se janë shpallur 60 fitues të rinj, si pasojë e postimit të listës, pas çregjistrimit të studentëve, që vazhdojnë shkollën në degë të tjera. Afati i fundit për t`u regjistruar është ora 16 e ditës së sotme. Ndërkohë, Universiteti i Tiranës bën të ditur se do të ketë edhe fazë të dytë regjistrimesh.
Regjistrimi sot
“Universiteti i Tiranës njofton se nesër (sot), më 23 shkurt 2009, përfundon faza e parë e regjistrimeve në sistemin me kohë të pjesshme në Fakultetin e Drejtësisë. Ata duhet të paraqiten deri në orën 16:00 në sekretariatin e fakultetit për t`u regjistruar”, – bëhet me dije nga Universiteti i Tiranës
Fituesit e rinj kanë përfituar nga çregjistrimi i fituesve që vazhdonin studimet në dy shkolla njëkohësisht. Vendimi për çregjistrimin e këtyre personave është marrë disa ditë më parë nga rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule, i cili ka lajmëruar dekanin e Fakultetit të Drejtësisë për ekzistencën e 52 emrave që po vazhdojnë studimet dhe të 1 personi, mesatarja e të cilit është keqllogaritur. Ndërkohë që para dy ditësh u çregjistruan edhe persona të tjerë.
“Për shkak të çregjistrimit të 60 studentëve, që ishin duke zhvilluar studime paralele në Universitetin e Tiranës, rektorati i UT-së dhe dekanati i Fakultetit të Drejtësisë shpalli 60 fitues të rinj”, – bëri të ditur Universiteti i Tiranës.
Faza e dytë
Por, përveç kësaj faze, do të ketë edhe një fazë tjetër regjistrimesh për vendet e mbetura bosh. Kjo fazë, sipas universitetit, do të nisë ditën e martë dhe do të zgjasë për tri ditë, deri të enjten. Universiteti bën të ditur se kandidatët fitues duhet të paraqiten në sekretarinë e Fakultetit të Drejtësisë për t`u regjistruar me një dokument identifikimi.
“Vendet e mbetura bosh pas fazës së parë të regjistrimeve do të plotësohen me kandidatë të tjerë, që nuk kanë fituar dhe vijnë menjëherë pas fituesit të fundit. Faza e dytë e regjistrimeve fillon ditën e martë më 24 shkurt 2009, deri në ditën e enjte më 26 shkurt 2009, nga ora 08:00 deri në orën 16:00. Kandidatët duhet të paraqiten personalisht me një mjet identifikimi (pasaportë, certifikatë etj.) për t`u regjistruar”, – bëri të ditur Universiteti i Tiranës.
Regjistrimi i studentëve në sistemin me kohë të pjesshme në Universitetin e Tiranës ka krijuar këtë vit një dukuri të veçantë, pasi nota mesatare ka qenë shumë më e ulët se vitet e kaluara. Me fituesit e rinj të Fakultetit të Drejtësisë, nota mesatare zbret nga 6.9 që ishte në fazën e kaluar të regjistrimeve në më pak se 6.5. Fituesi i fundit i listës së re është me notë mesatare të shkollës së mesme, 6.41.