E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Berisha”, si bursë aksionesh dhe “Kuajt e Trojës”

Nga Basir çollaku

Në gjashtë muaj, 26 vende anëtarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut ratifikuan protokollin e Shqipërisë me NATO, dhe kjo ndodhi 18 vjet pas shembjes së bustit të diktatorit famëkeq që na ndau nga Perëndimi. Dhe si zakonisht media e kontrolluar nga selia e PS-së ia kishte dalë që këtë lajm ta shndërronte në periferik, duke dëshmuar se janë ata gazetarë dhe jo qindra profesionistë në gazeta e televizione që do ta kishin përcjellë mijëra herë më me dinjitet një lajm të pritur prej gjysmë shekulli nga gjithë shqiptarët që kanë votuar 95 për qind dëshirën për të qenë pjesë e aleancës. Qeveria e kryesuar prej Kryeministrit Sali Berisha, për të bindur dhe përshpejtuar realizimin e kësaj ëndrre demokratësh e socialistësh njëherësh i është dashur shumë. Patjetër që i është dashur të ndryshojë adresën e bandave e kriminelëve nga rrugët, nga zyrat, nga pushteti, nga lidhjet me politikën dhe t’i dërgojë në qeli për t’ia vënë në dispozicion drejtësisë për ndëshkim ligjor. Jo pak, por i është dashur që të harxhojë energji të shumta që të rrëzojë monopolet që kishin mbërthyer në mënyrë matematike ekonominë, duke e bërë ekuacion me zgjidhje financiare të ditura para çdo lloj ngjarjeje. Dhe NATO u KRY njëherësh, një vit pas pavarësisë që Kosova i tha amanetit të Adem Jasharit “Bacë u kry!”.

Në tërë turin e opozitës për të marrë aksione nga qeveria “Berisha”, pasi të sajat i ka konsumuar gjatë dhe gabimisht, të pavërtetat, e alternativat e munguara dalin sheshit, duke sjellë si mundësi zhurmë mediatike e duke na bërë të ditur se fushata elektorale e qershorit do të përqendrohet shumë më tepër në oraret e leximit të shtypit në mëngjes, apo edicionet informative gjatë ditës.

Dosjet që dalin nga selia e opozitës, çuditërisht si abuzime të mëdha, shkelje e korrupsion sa hedhin mjegull dhe dështojnë si denoncime, ndonëse do të ishte prokuroria më e besueshme nëse do ta bënte, pasi një pjesë materialesh anojnë nga ajo, tregojnë se përpjekjet socialiste kanë një telash me seriozitetin dhe kjo përgjegjësi shigjetohet mbi drejtuesin e saj. Në këtë qëndrim kritik opozitar ndaj mazhorancës, gjithësisht i pranueshëm, u pezullua edhe ligji i lustracionit, duke e zgjatur në kohë pastrimin e pritshëm. Por në këtë rast, problemi nuk janë më së shumti dosjet e ish-sigurimsave, hapja e tyre, pastërtia e figurës. Besoj se këto moshapje dosjesh më tepër përdoren si mburojë për të mos shkuar te dosjet e reja që kanë krijuar ish-sigurimsat, të përzier me krimin e organizuar që kanë formuar tashmë një celulë ekonomike dhe financiare dhe që duan ta ruajnë me çdo kusht, e sidomos tre muaj para se të testohet mandati i ri qeverisës për subjektet politike. Dhe në këtë pikë, opozitarët sërish vrapojnë që të marrin aksione te “Berisha”, duke menduar gabimisht se përkrahësit e tyre duan vetëm një Kryeministër tjetër, pa le të shkojnë keq e më keq punët.

Fabrikimi i dosjeve të mëdha që janë sajesa të nxituara u janë kthyer në aksione të pashitura opozitarëve dhe tregun po e varfërojnë. Në këtë fabrikë prodhimi dosjesh e shpifjesh, janë jo vetëm të majtët se do ishte padrejtësi t’i gjykoje me ngut, por ka edhe pjesëtarë të mazhorancës, ata që janë duke konsumuar pushtet nga Berisha, që janë formatuar nga aksionet e tij. Nuk mund ta ndash lehtësisht nëse këta “Kuaj Troje” brenda mazhorancës që ushqehen me pushtetin e të djathtës dhe dashurojnë opozitën duke iu servilosur asaj, janë drejtorë, deputetë, politikanë, mediatikë, apo shoqëri civile që gënjejnë se janë demokratë të thekur. Nuk janë të pakta diversitetet e deputetëve apo ministrave, prapë të pranueshme brenda llojit të politikës, por mos kosto që nuk ia mbajnë vetë faturën, por ia përcjellin gjithnjë bursës “Berisha”. Troja duket se është mbushur me kuaj të pashijshëm, që presin për një ngarkesë diku nga sheshi i opozitës dhe të përfitojnë sa më tepër për ta shitur. Një miku im si me shaka më thoshte dikur, se mund të ketë qenë Pela e Trojës jo kali, pasi ajo polli, por kjo racë e fisme nuk duhet përgojuar gjatë. Ndaj ajo që është e rëndësishme që duhet marrë në konsideratë më shumë se seriozisht është fakti që si vend anëtar i NATO, nuk mundemi që tërë kohës të trafikojmë informacion të pavërtetë, të gënjeshtërt, shpifje thjesht për të marrë ca vota majtas apo djathtas. Kjo është pafalshmëri, pasi Aleanca 60-vjeçare është strukture që nuk i hamendëson modele të tilla. Ndaj me pak nxitim duhet ta mbyllin kapitullin gënjej pa fund të përfitojmë diçka, Troja antike duhet mbyllur.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›