E Shtunë, 31 Tetor 2026

Part-time dhe master do të nisin më 10 nëntor



Programet e ciklit të dytë dhe ato me kohë të pjesshme do të nisin më 10 nëntor, sipas udhëzimit më të fundit të nënshkruar nga ministri Beja. Në këtë udhëzim përcaktohet se si ciklet e dyta të studimeve, ashtu edhe sistemi me kohë të pjesshme, që ende nuk është zyrtarizuar, do të nisin në fillimnëntor, duke siguruar se këtë vit do të ketë part-time në ndryshim nga viti i kaluar. Ndërkohë, shkollat e larta do të nisin studimet më 13 tetor.

Sakaq, ditën e djeshme ka nisur regjistrimi i studentëve të viteve të para në Qytetin Studenti. Mes debateve dhe radhëve të gjata, rreth 20 mijë studentë kanë aplikuar për të qenë banorë të këtij institucioni. Drejtori i Qytetit Studenti, Bujar Brovina, deklaroi se të gjithë studentët që do të aplikojnë, do të hyjnë në dhoma.

Part-time

Udhëzimi i ministrit zyrtarizoi në këtë mënyrë se këtë vit do të kemi part-time. Shumica e shkollave nuk do të kenë kuota, duke hapur dyert për të gjithë aplikantët. Sipas burimeve nga Universiteti i Tiranës, degët që nuk preferohen nga studentët, si Biologjia, Fizika e të tjera do të jenë të liberalizuara. Por, në këtë kategori, Universiteti i Tiranës ka propozuar edhe Fakultetin e Ekonomisë, i cili do të pranojë të gjithë studentët që aplikojnë, pas miratimit nga Këshilli i Ministrave. Sakaq, departamentet e tjera do të kenë kuota. Në këtë mënyrë, Universiteti i Tiranës ka propozuar 200 kuota për Fakultetin e Drejtësisë.

Sipas të gjitha të dhënave, Matura Shtetërore nuk do të jetë një ndër kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve për studentë as në universitetet publike. Burime nga Ministria e Arsimit bënë të ditur se përzgjedhja për kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara vitit të kaluar akademik, do të mjaftohen me mesataren e shkollës së mesme dhe jo me pikët e grumbulluara nga Matura Shtetërore.

Qyteti Studenti

Krejt tjetër ishte situata në Qytetin Studenti ku qindra studentë ishin grumbulluar dje për të dorëzuar dokumentet dhe për t`u regjistruar. Treditëshi i regjistrimit, që nisi dje, duket se ka bërë që studentët të grumbullohen që ditën e parë, duke krijuar kaos në bujtinat e Qytetit Studenti. Burime nga QS-ja bënë të ditur se shumica e studentëve arritën të dorëzojnë dokumentet dje, ndërkohë që bujtinat do të qëndrojnë hapur edhe nesër e pasnesër nga ora 8 deri në orën 17 për të pritur studentët.

Dokumentet e nevojshme për regjistrim do të jenë certifikatë me fotografi personale e 3 muajve korrik–tetor 2008, 3 fotografi, vërtetim nga fakulteti ku ndjek studimet, i firmosur e i vulosur dhe raport mjekësor. Studentët që do të regjistrohen për herë të parë në Qytetin Studenti, do të duhet të kryejnë pagesën me lekë në dorë pranë bujtinave përkatëse. Tarifa është 30 mijë lekë të reja, ndërkohë që afati i fundit është pasnesër.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›