E Shtunë, 31 Tetor 2026

Treshja e teatrit “Dodona”, me dramën e Edward Albeet në Elbasan

Kosova, jo e rrezikshme

Një trupë me dy aktorë dhe një regjisor të ri është kollaj të lëvizë nëpër teatrot e Shqipërisë së madhe, edhe në stinët e vdekura. Me dramën “Tregimi zoologjik” të dramaturgut amerikan Edward Albeet (1928), Teatri “Dodona” i Prishtinës sjell një copë të aktualitetit të sotëm teatror nga Kosova. Regjisori Sokol Plakolli, i cili me këtë vepër ka mbrojtur punën e diplomës në Fakultetin e Dramës në kryeqendrën kosovare, duket pak i tërhequr jo pse aktorët e tij, Mentor Zymberaj dhe Ismet Azemi janë njerëz me shumë më tepër përvojë se ai në skenën e teatrit, madje njëri prej tyre, edhe ish-profesori tij, por ngaqë Sokoli është i zhytur në botën e Albeet, të cilën ai e koncepton si një glob t[ kapur në rrjetë merimange. Para premierës në Elbasan, në ditët e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skampa”, regjisori i ri thotë se Albeet është nga ata autorë dhe “Tregimi zoologjik” nga ato vepra që i përfshin të gjitha stilet dramaturgjike, pra një autor modern sa edhe një vepër antike, klasike, sadoqë kjo që u shfaq mbrëmë në “Skampa”, njihet në repertorin e teatrit botëror si ajo që lindi dramën amerikane të absurdit (1958). Plakolli i ri mendon se temës tmerrësisht të thjeshtë të autorit amerikan mbi izolimin njerëzor dhe vetminë, i ka mëshuar tek situata aktuale intelektuale. Sipas tij, dy personazhet, rebeli Xheri dhe antiheroi Piter janë modelet e gjenialiteteve që gjenden ndër njerëz, por që “shoqëria i ka hedhur dhe i ka bërë bredhacakë”. Historia e njeriut të konsumuar nga vetmia që një ditë të bukur ndodhet në një park përballë një tjetri, të cilin e detyron të bëhet pjesë e një akti të dhunshëm, jo më kot është e vendosur në sfondin e botës së kafshëve. Si të ishin botë paralele të ndërgjegjes, loja e aktorëve Mentor Zymberaj dhe Ismet Azemi, është një eko për “punët e njeriut” që nga origjinat, për punët e tij me veten, me kafshët dhe të tjerët. Ismet Azemi, njëherësh aktor i Teatrit Kombëtar të Kosovës, thotë se drama e Albeet e ka shtyrë që të bëjë një betim jo të zakontë me kolegun Zymberaj. Ajo i ka lidhur aq ngushtë sa mendojnë se ia vlen ta luajnë gjatë njëzet viteve të ardhshme. “Tregimin zoologjik” në versionin e realizimit të teatrit “Dodona” ai e sheh besnik ndaj autorit amerikan, por një version të ri duke iu referuar leximit interesant të Plakollit. “Unë e shoh teatrin, ashtu siç unë e ndjej”, - thotë Ismeti, duke shtuar se teatrin e mirë, kërkues dhe cilësor ai e ndesh sot jo aq në Teatrin Kombëtar, por në kompanitë private që po përjetojnë në Kosovë një stinë të artë. “Dodona”, për shembull, është një teatër që mbështet nga Komuna e Prishtinës dhe një nga katër teatrot që ka aktivitet në këtë kryeqytet. Për zhvillimet e teatrit sot në vendin e tyre të tre djemtë janë në një mendje: një ditë ky vullkan ngjarjesh, ndjesish, trysnish dhe historish të së shkuarës, të afërta dhe të largëta, ka për të shpërthyer “pas vlimit”. “Frytet e gjithë kësaj bote të bërë art, nuk kanë për të vonuar”. Sipas Zymberajt, duhen mbajtur mend ato gabime që po bëhen sot, të paktën në teatër. Temat e vogla, të parëndësishme dhe të sipërfaqshme, nuk janë për ne. “Shumë jemi modernizuar. Ne kemi civilizimin tonë të kahershëm. Kemi një lëndë që s’duhet ta përçojmë”. Ai e ka fjalën qoftë për detyrat e dramaturgëve të rinj, qoftë për një lloj mentaliteti inferior përballë çdo lloj arti që vjen nga Perëndimi, apo ndaj të huajve në përgjithësi. Thënë me fjalë të tjera, shqiptarët kudo ku janë, në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, kanë aq shumë probleme sa s’iu del ditë-nata të merren me historinë dhe aq më pak me historinë e njohur të botës dhe autorët e shkollave. Puna e treshesh Plakolli, Zymberaj dhe Azemi, pas premierës në “Skampa 2008” do të shfaqet gjatë një turneu në Shqipëri në muajt e ardhshëm. Ditët e festivalit në Elbasan që këtë vit ka për slogan “Teatri ndryshe”, sollën dje në skenë monodramën rumune të Doru Motoc, “Dashuria të sjellë fishekun e fundit” me regji dhe lojë të aktores Luminita Borta; “Tregimi zoologjik” i “Dodonës” dhe “Dasma” e Erand Sojlit e Teatrit vendas “Skampa”. Sot vazhdon në mbrëmje me prodhimin e Teatrit Kombëtar në Tiranë, “Allegretto Albania” e Stefan Çapalikut, me regji të Altin Bashës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›